"Si sirianët edhe unë lashë Kosovën. Të braktisësh shtëpinë s'është zgjidhje por mbijetesë"

Gazeta amerikane Washington Post i ka kushtuar një intervistë shqiptarit nga Kosova, Mikra Krasniqi, familja e të cilit, si qindra mijëra kosovarë në vitin 1998 u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre për shkak të luftës me Serbinë. Tani Mikra Krasniqi është një shkrimtar dhe jeton në Maryland të Shteteve të Bashkuara. Ai ka rrëfyer për Washington Post historinë e tij, mendimin që ka për refugjatët sirianë dhe mënyrën se si duhet të trajtohen ata:

 

Në pjesën më të madhe të Amerikës, refugjatët sirianë shihen si kërcënim, jo si viktima. Gjatë muajit shkurt, kryetari i Shtëpisë së Komiteti të Sigurisë Kombëtare, Michael McCaul tha se pranimi i sirianëve do të krijonte një “tubacion xhihadist të financuar nga shteti jonë” në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu Amerika dyshon se grupet terroriste po përdorin refugjatët për të sulmuar Europën dhe Amerikën.

Këto argumente në thelb keqkuptojnë atë se çfarë në të vërtetë do të thotë të jesh refugjat. Braktisja e shtëpisë tënde gjatë kohës së luftës nuk është zgjedhje apo mundësi politike. Është instikt mbijetese, një përpjekje për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tu nga dhuna, uria apo vdekja.

Ky është një realitet që unë e njoh shumë mirë. 16 vjet më parë, u detyrova të largohem nga Kosova, pasi ushtria serbe dogji shtëpinë time. Ajo eksperiencë më mësoi se sa dëshpëruese mund të jetë jeta për një refugjat dhe sa e rëndësishme është që azilkërkuesit të trajtohen me mirësi.

Lufta në Kosovë filloi pranverën e vitit 1998, por luftimet sporadike mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë serbe filluan shumë më herët. Në vitin 1990, Serbia hoqi të drejtat politike të shqiptarëve të Kosovës dhe pushtuan institucionet e tyre. Në përgjigje të tyre, UÇK-ja sulmoi stacionet policore dhe bazat ushtarake serbe.

Serbët u kundërpërgjigjën me një sulm në shkallë të gjerë ndaj shqiptarëve etnikë të Kosovës. Brenda pak muajsh, ata detyruan 850 mijë persona të largohen nga vendi.  Linja të pafundme refugjatësh u derdhën drejt kufijve të vendeve fqinje si Shqipëria e Maqedonia. Ishte një nga krizat më të mëdha të emigrantëve në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Gjatë asaj kohe isha 22 vjeç, jetoja në një qytezë të vogël në jug-perëndim të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë. Edhe pse familja ime dhe unë e dinim që do të sulmoheshim nga Serbia, qëndruam. Shpresonim që lufta do të përfundonte përpara se të mbërrinte deri në Pishtinë. Dhe përveç kësaj nuk kishim ku tjetër të shkonim

Një pasdite prilli, dëgjova të shtëna jashtë shtëpisë. Vrapova për tek dera dhe pashë burra me uniforma të maskuar që mbanin në dorë kallashnikovë. Mbanin dhe granata e thika në ijet e tyre. Ata më tërhoqën dhe vunë armët pas shpine, vazhdimisht më godisnin me pjesën e pasme të armëve. Një tjetër ma drejtoi armën në kraharor.

Më priste vdekja. Por një trazirë e shkaktuar në turmë e hutoi ushtarin përpara se ai të tërhiqte këmbëzën. Ai u largua dhe në kaosin që pasoi, unë u fsheha prapa një muri. Më pas më gjetën disa fqinjë që më çuan tek familja ime.

Ne bëmë gati një rimorkio me rreth 25 persona të tjerë dhe u nisëm për të lënë qytetin, vetëm me rrobat që i mbanim në kurriz. Nuk kishim zgjidhje tjetër. Pasdite vonë, qindra ushtarë serbë kishin hyrë në qytezën tonë. Ata i vinin flakën shtëpive.

Gjatë 10 orëve të ardhshme, karvani ynë i makinave dhe kamionëve kalonte mes fshatrave e qyteteve të djeegura. Paramilitarët serbë ngritën pika kontrolli gjatë rrugësh, duke i marrë paratë, bizhuteritë dhe gjëra të tjera me vlerë që njerëzit kishin. Ata sulmonin shoferët, duke hedhur gurë e duke qëlluar drejt tyre. Madje një herë pashë që tërhiqnin zvarrë një grua që ulërinte nga makina e saj. Nuk e di ç’ndodhi me të më pas. Përpara se të mbërrimin në kufirin me Shqipërinë, një grup i madh paramilitarësh serbë po na prisnin. Ata na urdhërua të jepnim pasaportat, kartat e identitetit apo çertifikata lindjeje, çdo gjë që tregonte se ne ishim nga Kosova.

Në Shqipëri ne u mirëpritëm në një kamp refugjatësh prej 1400 personash të drejtuar nga Karitasi Spanjoll . Për 10 javë, ne fjetëm në tenda të mbipopulluara, hanim ushqim të konservuar dhe djersisnim nga temperaturat përvëluese. Fillova të vuaja nga pagjumësia dhe shpenzoja orë  të tëra zgjuar natën.  Dëgjoja njerëz që qanin në errësirë.

Edhe pse më në fund ishim jashtë rrezikut, ndjehesha i dëshpëruar, zemërthyer e i pashpresë. Isha i pushtuar nga dhuna që kisha parë e përjetuar. Përpiqesha të imagjinoja se çfarë fshihte e nësërmja. Si refugjat, nuk kisha asgjë. Çfarë do të bëja, si do të jetoja? E ardhmja ime ishte në duart e të tjerëve. Kjo pasiguri vetëm më ushqente dëshpërimin.

Por ka pasur edhe moment të mira. Një ditë, shkova me kushëririn tim të vogël në spitalin e improvizuar brenda kampit. Kryeministri i Spanjës, Jose Maria Aznar, ishte për vizitë. Ne shtrënguam duart, dhe i shpreha atij mirënjohjen  time. Ai na përqafoi mua dhe kushëririn tim. Atë ditë mësova, që refugjatët kanë nevoja të tjera përveç strehimit, ushqimit e sigurisë. Ata kanë nevojë për njerëz që dëgjojnë historitë e tyre të humbjes, për njerëz që ofrojnë jo vetëm mirësi por dhe ndjeshmëri dhe që kuptojnë.

Në korrik të vitit 1999, familja ime dhe unë u kthyem në Kosovë. Unë punova për Kombet e Bashkuara për disa vite, dhe më pas lëviza drejt Shteteve të Bashkuara me një vizë studentore. Unë qëndrova që të përfundoja kolegjin, fitova dy diploma universitare dhe ndërtova familjen time në SHBA.

Konflikti sirian është shumë më i madh dhe më kompleks se sa kriza në Kosovë. Rreth 9 milion sirianë janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga viti 2011, kur filloi lufta. Nga 4 milion refugjatë të regjistruar nga Kombet e Bashkuara, 1.6 janë fëmijë poshtë moshës 11 vjeç, 708 mijë janë 4 vjeç ose më pak.

Ne kishim avantazhe të tjera gjithashtu. Kosovarët u mirëpritën nga Shqipëria – mijëra familje i ofruan strehim refugjatëve në shtëpitë e tyre. Ne ndanim të njëjtën gjuhë dhe kulturë. Ndërsa sirianët përballen me zyrtarët të zemëruar, kërcënimet e arrestimeve dhe armiqësi nga vendet kufitare.

Megjithatë, pavarësisht udhëtimeve dëshpëruese të azilkërkuesve, më pëlqen të dalloj gjërat e mira. Shoh fëmijë që buzëqeshin e lozin pavarësisht kaosit të krijuar. Përpiqem të shoh rreze shprese në mes të dëshpërimit.

Europianët dhe amerikanët duhet të bëjnë çdo gjë që munden që refugjatët sirianë të ndjehen të sigurtë.

 

EMISIONET