Programi për Shëndetësinë/ Basha: Do godasim mafian e ilaçeve
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është duke zhvilluar një bashkëbisedim me pjesëtarë të Urdhrit të Farmacistëve dhe pacientë në kuadër të prezantimit të programit “Shqipëria fiton shëndetësinë”.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati është shprehur se, barnat shqiptare janë të një cilësie të nivelit europian, ndërsa akuzoi se tregu është i hapur vetëm për mafian e ilaçeve që sjellin produkte të pasigurta.
Basha garantoi se qeveria e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit programi i PD nuk është thjesht një premtim por angazhime reale.
Lulzim Basha: Cilësia e barnave ka marrë një goditje të jashtëzakonshme gjatë këtyre viteve. Tregu është hapur për mafien e barnave e cila sjell barna të pacertifikuara, jo në funksion të shëndetit të njerëzve, por në funksion të mbushjes së xhepave të një grushti importuesish.
Angazhimi i parë në këtë fushë është që ne do të bëjmë të gjitha ndryshimet e nevojshme ligjore dhe do të ushtrojmë të gjithë kontrollin e nevojshëm që barnat shqiptare të cilësisë dhe standardeve të vendeve europiane.
E dyta ka të bëjë me pacientin. Sepse i gjithë programi ynë për shëndetësinë ka në qendër pacientin, paraja ndjek pacientin. Kjo do të thotë që rimbursimi i barnave do të bëhet në bazë të diagnozës, në mënyrë që asnjë pacient që ka nevojë për një ilaç të veçantë, të mos mbetet pa e marrë këtë mjekim.
Basha sqaroi edhe çështjen e kartës së pacientit që do të ndryshojë mënyrën e përzgjedhjes së mjekut, spitalit apo edhe ilaçit që i duhet pacientit.
Lulzim Basha: Karta e pacientit do të mundësojë që pacienti të zgjedhë, te cili mjek familje do të shkojë, te cili specialist do të shkojë ,te cili spital do të shkojë dhe detyra e shtetit është të sigurojë që sistemi i sigurimeve shëndetësore të funksionojë dhe të marrin rimbursimin e duhur ndërkohë që zgjedhjen e kanë ata në dorë.