Shqetësimet e biznesit, Rama në një biznes fason, përcjell mesazhe suksesi
Kryeministri, Edi Rama, ka vizituar një biznes fason për të përcjellë mesazhe suksesi dhe inkurajuese sipërmarrësve. Pavarësisht shqetësimeve të biznesit për taksat e larta, Kryeministri tha Qeveria nëpërmjet politikave si heqja e taksës së importit të makinerive dhe politikat e nxitjes së punësimit ka ndihmuar sipërmarrjen.
Si përgjigje ndaj shqetësimit që ka ngritur biznesi se taksat të larta të qeverisë penalizojnë aktivitetin e tyre, kryeministri Edi Rama ka viztuar një biznes fason në Tiranë për të treguar një realitet suksesi.
Rama: “Kjo është një histori suksesi në investim, në punësim dhe në marrëdhënien shumë korrekte me shtetin, me taksat me detyrimet. Përfitimi nga heqja e taksës së importit mbi makineritë është konkret këtu, siç është në shumë realitete të tjera.Së dyti, ky është një realitet suksesi sepse nga 60 punonjës që ishin vjet, sot numërohen 600, 100 prej të cilëve janë rezultat i politikave të nxitjes së punësimit nga ana e qeverisë. Aktualisht sot, që flasim, kemi 26 mijë e disa qindra vende të lira pune, në zyrat e punës në territorin e Shqipërisë”.
Në kohën kur kritikat e Ministrit të Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, kanë qenë të shpeshta për zyrat e punës që nuk e ushtrojnë siç duhet funksionin e tyre, për të rifituar besimin kryeministri Rama apeloi qytetarët ti drejtohen sporteleve për punë.
Rama: “Është rasti për t’u thënë atyre që vërtetë duan punë, që vërtetë duan të jetojnë me punë që të drejtohen tek zyrat e punës dhe të këmbëngulin, pasi ka mundësi nga ato me arsim të lartë dhe me specializime të veçanta, deri tek punët më të thjeshta”.
Shefi i Qeverisë tha se me buxhetin e ri biznesi do të përkrahet nëpërmjet politikave të reja nxitëse parashikuar në paketën e re fiskale.
Në këtë rast Kryeministri veçoi heqjen e pagesës se skanimit në dogana për biznesin fason.
Rama: "Me buxhetin e ri ne do të mbrojmë të gjithë manifakturën nga fatura e skanimit në dogana, të cilën do ta paguajë shteti për të vazhduar eksportet, për të vazhduar që manifaktura të rritet sepse ka një potencial shumë të madh.Shumë njerëz e marrin si një punë të një kategorie të ulët, por në fakt ajo që po shohim ne dhe që e kemi nxitur është krijimi i një cikli të mbyllur. Jo thjesht merr material porositësi, qep dhe ço, por fabrika të mirëfillta të manifakturës që fillojnë nga dizenjimi, deri tek shitja në vendet ku eksportohet".
