Nëse një deputet shpërndan leje legalizimesh nga sot deri në datën e zgjedhjeve të 25 prillit nuk do të ketë asnjë gjobë ndaj tij nga KQZ-ja. Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedheve ndalon shpërndarjen e certifikatave të pronësisë nga zyrtarët e qeverisë për përfitime elektorale, deputetët janë të përjashtuar nga ky rregull.

Me anë të këtij arsyetimi, deputeti socialist Bujar Çela ka dalë i pastër nga “gjyqi” i KQZ pasi publikoi foto me banorët e Lushnjes duke ju dorëzuar  lejet e legalizimit.

Dënimi ndaj tij mbeti vetëm në nivel moral nga ana e Komisionerit Shtetëror.

Por fotot e publikuara të deputetit socialist i kanë kushtuar drejtorit të Kadastres së Lushnjes vetëm 1500 lekë. Arben Qalliu nuk ka arritur të bindë Komisionerin Ilirian Celibashi se nuk kishte lidhje me shpërndarjn e certifikatave të pronësësisë nga ana e deputetit të mazhorancës.

“Veprimet e kryera nga ky drejtues me stafin në varësi të tij kanë kontribuar në lëshimin e dokumenteve zyrtare duke krijuar mundësi kështu që subjekte politike për interesa të tyre ta kryejnë këtë proces vendosa të dënoj me gjobë zotin Arben Qalliu, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore Lushnje, me shumën 1500 lekë”, është shprehur Komisionieri Shtetëror, Ilirjan Celibashi.

Por sipas vendimit të miratuar nga Komisioni Rregullator, neni 10, pika 1 masa administrative ndaj titullarit të një institucioni duhet të nisë minimalisht nga vlera 3 mijë lek, 2 fishi i gjobës modest të dhënë nga Celibashi për drejtorin e Kadastres.

Janë mbi 20 ankimime nga qytetarët dhe partitë politike për përdorimin e aseteve publike nga deputetët dhe ministra të mazhorancës  për interes të fushatës eleketorale.