Shkeli arrestin e shtëpisë dhe dhunoi një person, arrestohet Fatmir Kajolli
Policia e Fierit vë në pranga biznesmenin, Fatmir Kajolli,për shkelje të masës së sigurisë “arrest shtëpie”. Ndalimi i tij u bë në orët e pasdites së sotme.
“Ndalimi i këtij shtetasi u bë për arsye se ka shkelur vendimin e gjykatës mbi arrestin e shtëpise duke u larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit, banesa e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Fierit shton gjithashtu se Kajolli përveç se ka shkelur masën e sigurisë, akuzohet edhe për goditjen e një shtetasi pas një debati për motive të dobëta mes tyre.
“Me datën 27.9.2015, në afërsi të pikës së karburantit në pronësi të tij në fshatin Daullas, pas një debati të bërë për motive të dobëta ka goditur shtetasin A.L”.
Prej 24 korrikut të këtij viti, Fatmir Kajolli, ishte lënë në arrest shtëpie nga Gjykata e Vlorës me akuzën e dhunimit të një numëruesi të Partisë Socialiste gjatë proçesit të numërimit të votave për zgjedhjet vendore.
Incidenti u regjistrua më datë 24 qershor në ambientet e gjimnazit “Janaq Kilica” në qytetin e Fierit.
Njoftimi për shtyp i policisë
Nga Specialistët për krimet në Komisariatin e Policisë Fier,u bë ndalimi i shtetasit Fatmir Kajolli.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë për arsye se ka shkelur vendimin e gjykatës mbi arrestin e shtepisë duke u larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit [banesa e tij].
Ndaj këtij shtetasi ishte vendosur nga Gjykata masa e sigurisë “arrest shtëpie” për veprat penale “Shkatërrim i pronës”,”Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesmarrësve në zgjedhje” parashikuar nga Nenet 150,236 dhe 329/3 të Kodit Penal.
Gjithashtu më datën 27.9.2015, në afërsi të pikës së karburantit në pronësi të tij në fshatin Daullas, pas një debati të bërë për motive të dobëta ka goditur shteasin A.L.
