Shitja e Bankers, shkak çmimi i naftës në bursa, por edhe konfliktet me Qeverinë

Shitja e Bankers, shkak çmimi i naftës në bursa, por edhe

Rënia e çmimit të naftës në bursa konsiderohet një ndër arsyet që ndikoi në vendimin e Bankers për të shitur aksionet. Sipas kreut të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Dael Dervishi, një zgjidhje të tillë po gjejnë edhe shumë kompani të tjera në botë që nuk po e përballojnë dot rënien drastike të çmimeve në bursa. Dervishi shpjegon se shitja nuk ndryshon marrëdheniet me shtetin shqiptar.  

Ndërkaq në fund të vitit të kaluar, Bankers u përfshi në një konflikt me Qeverinë. Marrëveshja për shitjen e aksioneve, si ajo e njoftuar një ditë më parë nga Bankers kërkon muaj të tërë negociatash dhe me shumë gjasa ato kanë nisur pikërisht në kohën kur kompania kishte probleme me shtetin.

Ulja e ndjeshme e çmimit të naftës në bursa, që vijon tashmë prej mëse një viti duket se për zyrtarët shqiptarë është arsyja kryesore që ka detyruar kompaninë Bankers të shesë aksionet e saj.

Dervishi: Bankers kishte disa kohë që ishte duke kërkuar blerës potencialë të mundshëm të aseteve të veta. Edhe ne jemi njohur me disa prej investitorëve të ndryshëm potencialë që kanë ardhur edhe të na vizitojnë.Arsyeja kryesore unë mendoj që ka të bëjë me tregjet ndërkombëtare të naftës.Preki shumë sepse duhet thënë që nafta shqiptare është një naftë e rëndë, një naftë që kërkon një angazhim financiar më të madh për tu nxjerrë nga nëntoka.Këto lloj kompanish janë goxha të ndjeshme ndaj klimës ndërkombëtare financiare.

Deri në fund të vitit 2014, Bankers ishte kompania më e madhe në Shqipëri me një qarkullim vjetor prej rreth 67 miliardë lekësh.

Xhiro e saj është përgjysmuar në vitin 2015 për shkak të rënies së çmimeve të naftës.

Në fund të vitit të kaluar, Bankers u përfshi në një konflikt me Qeverinë shqiptare, pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bazuar në një raport të AKBN nuk i njohën Bankers 303 milionë dollarë shpenzime dhe e ngarkuan me një pagesë prej 57 milionë dollarësh tatim fitimi.

Kompania ka filluar ta paguajë këtë shumë me këste mujore.

Në shkurt të këtij viti, pas negociatave u arrit marrëveshja për caktimin e një eksperti ndërkombëtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me raportin e auditit për vitin 2011.

Bankers Petroleum është dakordësuar që të pezullojë proçesin e arbitrazhit në të cilin kishte paditur shtetin shqiptar.

Dervishi:Nuk është shitur kompania Bankers në Shqipëri. Kompania Bankers Albania mbetet e pandryshuar dhe është ajo që do ti vazhdojë operacionet hidrokarbure dhe është ajo kompania që do të vazhdojë të monitorohet nga ana e AKBN-së. Pra ne sot nuk kemi akoma një marrëdhënie direkte me kompaninë që ka blerë Bankers.Ne vazhdojmë ti kemi marrëdhëniet me të njëjtën kompani dhe presim dhe angazhohemi që të gjithë ato detyrime që kompanisë i lindin dhe i kanë lindur nga marrëveshjet hidrokarbure kundrejt shtetit tonë ti qëndrojmë deri në fund ashtu siç është parashikuar në marrëveshjet përkatëse.

Arritja e një marrëveshje për shitjen e aksioneve, si ajo e njoftuar një ditë më parë nga Bankers kërkon muaj të tërë negociatash dhe me shumë gjasa ato kanë nisur që në kohën kur kompania kishte probleme me Qeverinë shqiptare.

Por kompania nuk bën të ditur se kur kanë nisur negociatat me kinezet e Geo-Jade Petroleum Corporation, që mendohet se do të jenë dhe pronarët e rinj të Bankers.

EMISIONET