Shfrytëzimi i fëmijëve fenomen që po rritet frikshëm, romët më të ekspozuar
Psikologët pranë Bashkisë së Vlorës kërkojnë më shumë vëmendje për fëmijët vunerabël për të shmangur abuzimet si nga prindërit, por edhe nga të tjerë persona.
Rritet numri i fëmijëve, kryesisht nga komuniteti rom, të cilët detyrohen të punojnë për shkak të gjendjes financiare të familjeve të tyre.
Psikologia në njësinë e mbrojtjes së fëmijëve në Bashkinë e Vlorës, Jonida Dhroso, thotë se fenomeni tashmë ka dalë jashtë kontrollit pasi zgjerimi i territorit të Bashkisë e ka bërë të pamundur menaxhimin e të miturve.
Jonida Dhroso: Inspektoriati i Punës duhet të jetë më tepër aktiv për të parandaluar këtë lloj fenomeni, pra për të mos punuar fëmijët në punë të detyruar dhe në rast se kushdo qoftë mund të shohë një fëmijë që shfrytëzohet qoftë për punë, qoftë për lypje dhe ka braktisur shkollën, duhet ta referojë rastin tek njësia për mbrojtjen e fëmijëve apo ndoshta dhe në polici. Dhe më pas është policia që e sjell rastin tek ne. Nuk duhet të heshtim kundrejt këtyre fenomeneve.
Ekspertët e njësisë së mbrojtjes së fëmijëve në Vlorë kërkojnë që Inspektoriati i Punës të marrë masa në terren, duke penalizuar këdo që shfrytëzon të miturit.
