Njihuni me ushqimet me vitaminë B5, kundër alergjive

Njihuni me ushqimet me vitaminë B5, kundër alergjive

Vitamina B5 e njohur ndryshe si Acidi Pantotenik është shumë e rëndësishme për organizmin. Ajo vjen në ndihmë kundër azmës, rënies së flokëve, alergjive, stresit, ankthit, çrregullimeve me frymëmarrjen dhe problemeve me zemrën. Ajo rrit imunitetin, zbut osteoartritin, shenjat e plakjes së parakohshme, mban nën kontroll diabetin dhe rrit rezistencën kundër një sërë infeksionesh.

Një ushqyerje e pasur nënkupton praninë e bollshme të kësaj vitamine kaq të nevojshme për shëndetin dhe mirëqenien e organeve. Ajo luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e transmetuesve nervorë në tru, steroideve dhe përthithjen e yndyrnave, proteinave dhe ushqyesve të tjerë nga ushqimet. Thënë shkurt, kjo vitaminë është e pazëvendësueshme për shëndetin.

Simptomat e Mungesës së Vitaminë B5

Nëse ndonjëherë ju duket sikur nuk i ndieni këmbët dhe më pas ju kaplojnë dhimbjet, atëherë duhet të dini se kjo është një simptomë e mungesës së vitaminës B5. Kjo simptomë shoqërohet nga ndjenja e vazhdueshme e lodhjes dhe drobitjes së gjithë trupit. Simptoma të tjera përfshijnë pagjumësinë, aneminë, të vjellat, kontraktimet e muskujve dhe çrregullime jo normale të lëkurës.

Ku gjendet vitamina B5?

Burimet më të rëndësishme të kësaj vitamine janë kërpudhat, brokoli, lakra, bishtajoret, salmoni dhe barishtet. Kjo vitaminë gjendet edhe tek vezët, peshqit, majaja, arrorët, qumështi, djathi, gruri dhe kikirikët.

Vlerat shëndetësore të vitaminës B5

Stimulon hormonet

Vitamina B5 sintetizon shumë përbërës organikë të rëndësishëm për trupin e njeriut. Për shembull, ajo është e rëndësishme për formimin e yndyrnave, proteinave, karbohidrateve, amino acideve dhe antibiotikëve. Kjo vitaminë stimulon gjithashtu hormonet e veshkave.

Largon stresin

Vitamina B5 është me famë sa i përket heqjes së stresit dhe zgjidhjes së disa problemeve mendore si ankthi dhe depresioni. Ajo rregullon hormonet që janë përgjegjës për krijimin e këtyre problemeve mendore.

Shëndeti i zemrës

Vitamina B5 bën një punë të mrekullueshme në mbrojtjen e funksioneve të zemrës. Ajo rregullon nivelin e kolesterolit dhe mban nën kontroll tensionin e gjakut.

Gjallëria fizike dhe mendore

Vitamina B5 ndihmon në zbutjen e lodhjes dhe drobitjes fizike dhe rikthen të gjitha aktivitetet e metabolizmit. Vitamina B5 rrit gjallërinë e trupit dhe e bën atë të jetë efikas në kryerjen e detyrave të përditshme. Kjo vitaminë vlerësohet shumë nga njerëzit aktivë dhe ata që merren me sport.

Kujdesi për lëkurën dhe flokët

Vitamina B5 ndihmon në ruajtjen e shëndetit të lëkurës dhe paraqitjes së bukur të saj. Ajo vonon shfaqjen e parakohshme të shenjave të plakjes, rrudhave dhe njollave të moshës. Studimet kanë treguar se ajo luan një rol të rëndësishëm në pigmentimin e flokëve dhe parandalon zbehjen e ngjyrës.

Vitamina që tretet në ujë

Vitamina B5 i përket atij grupi vitaminash që treten në ujë nëse merren si suplement. Rrjedhimisht ajo nuk shoqërohet nga substanca toksike në organizëm. Kjo vlerë e bën këtë vitaminë shumë efikase për njerëz të të gjitha grupomoshave.

Sistem i fortë imunitar

Vitamina B5 është shumë e mirë në forcimin e sistemit imunitar, duke na ardhur në ndihmë kundër një sërë infeksionesh apo sëmundjesh. Nëse dëshironi që të zvogëloni gjasat e prekjes nga një sëmundje e keqe atëherë përpiquni të maksimizoni numrin e qelizave të bardha dhe të mbani sistemin imunitar të mbrojtur. Këtë mund ta bëni duke ngrënë ushqime të pasura me vitaminë B5.

Rrit nivelet e hemoglobinës

Vitamina B5 arrin të rrisë nivelet e hemoglobinës në trupin e njeriut. Ajo ndihmon mëlçinë në metabolizmin e substancave toksike. /AgroWeb.org

EMISIONET