Mikroplastikat mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës, studimi zbulon një lidhje me atakun kardiak

Një studim i ri i kryer në Itali ka identifikuar një lidhje mes pranisë së mikroplastikave në gjak dhe rrezikut për atak kardiak. Studiuesit sqarojnë se rezultatet nuk provojnë se këto grimca janë shkaku i drejtpërdrejtë i sëmundjes, por tregojnë një lidhje që kërkon hetime të mëtejshme.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore European Heart Journal, analizoi 61 pacientë që iu nënshtruan angiografisë koronare për shkak të një ataku të dyshuar kardiak.
Rezultatet treguan se 84.2% e pacientëve që kishin pësuar atak kardiak kishin mikroplastika në gjakun e marrë nga arteriet koronare ose enët periferike. Kjo përqindje ishte më shumë se dy herë më e lartë krahasuar me personat që nuk kishin pësuar atak.
Sipas studiuesve, lloji më i zakonshëm i plastikës i identifikuar ishte polietileni, material që përdoret gjerësisht në ambalazhe dhe produkte të konsumit.
Hulumtimi evidentoi gjithashtu se mikroplastikat gjendeshin më shpesh te personat e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit dhe te duhanpirësit. Sipas të dhënave, duhanpirësit kishin rreth gjashtë herë më shumë gjasa të kishin këto grimca në gjakun e tyre.
Autorët e studimit vlerësojnë se tymi i duhanit dhe ndotja e ajrit mund të lehtësojnë depërtimin e mikroplastikave dhe nanoplastikave në qarkullimin e gjakut përmes mushkërive.
Megjithatë, studiuesit sqarojnë se gjetjet nuk provojnë një lidhje shkak-pasojë mes mikroplastikave dhe atakut kardiak. Sipas tyre, rezultatet tregojnë një lidhje të fortë mes ekspozimit ndaj ndotjes mjedisore, pranisë së mikroplastikave në gjak dhe sëmundjeve kardiovaskulare, çka kërkon studime të mëtejshme për të kuptuar ndikimin e tyre në shëndetin e zemrës.


