Kolagjeni nuk është mrekulli, por studimet tregojnë përfitime reale për lëkurën dhe nyjat!

Premtojnë lëkurë më të re, nyja më të forta dhe më shumë vitalitet, por shkenca po tregon se efektet e kolagjenit varen nga shumë faktorë që shpesh anashkalohen.
Një analizë e madhe shkencore, e cila përfshiu 113 prova klinike dhe gati 8 mijë pjesëmarrës, sugjeron se suplementet e kolagjenit mund të sjellin disa përfitime reale për organizmin. Megjithatë, ekspertët theksojnë se rezultatet nuk janë të njëjta për të gjithë.
Kolagjeni është proteina më e bollshme në trupin e njeriut dhe luan rol të rëndësishëm në shëndetin e lëkurës, kockave, muskujve dhe indeve lidhëse. Me kalimin e moshës, prodhimi natyral i tij fillon të bjerë, gjë që ka nxitur interesin e madh për suplementet.
Megjithatë, jo çdo produkt funksionon njësoj.
Ekspertët shpjegojnë se kolagjeni i hidrolizuar, i cili përbëhet nga peptide më të vogla, mund të përthithet më lehtë nga organizmi sesa format e tjera. Kjo mund të ndihmojë që përbërësit aktivë të arrijnë më shpejt në lëkurë, muskuj dhe nyja.
Rezultatet e rishikimit treguan se përdorimi i kolagjenit u shoqërua me përmirësime të moderuara në shëndetin e muskujve, reduktim të dhimbjeve te personat me osteoartrit, si dhe përmirësim të hidratimit dhe elasticitetit të lëkurës.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto efekte nuk shfaqen menjëherë. Përfitimet janë vërejtur kryesisht te personat që kanë përdorur kolagjenin për periudha më të gjata, ndërsa përdorimi afatshkurtër ka dhënë rezultate më të kufizuara.
Një tjetër problem është cilësia e studimeve.
Pesëmbëdhjetë nga 16 rishikimet sistematike të përfshira në analizë u vlerësuan me cilësi të ulët ose kritikisht të ulët për shkak të kufizimeve metodologjike, numrit të vogël të pjesëmarrësve dhe kohëzgjatjes së shkurtër të studimeve.
Shkencëtarët theksojnë se jo të gjitha suplementet e kolagjenit janë të njëjta. Disa prodhohen nga burime shtazore si lopët, derrat apo pulat, ndërsa të tjerë nga burime detare si peshqit dhe butakët. Ka gjithashtu produkte të cilat tregtohen si alternativa vegane.Ekspozimi në diell, duhani, gjumi, ushqyerja, stresi dhe faktorët hormonalë mund të ndikojnë në rezultatet që një person merr nga suplementet.
Ekspertët arrijnë në përfundimin se kolagjeni nuk është një “ilaç magjik”, por as një placebo e shtrenjtë.
Përfitime reale duket se ekzistojnë, veçanërisht për lëkurën, nyjat dhe muskujt, por efektet janë modeste dhe ndryshojnë nga një person te tjetri.Prandaj, studiuesit kërkojnë më shumë hulumtime të standardizuara që të përcaktojnë se cilat forma të kolagjenit funksionojnë më mirë, në çfarë dozash dhe për cilët persona.

