Agresiviteti te fëmijët dhe roli i prindit

Agresiviteti te fëmijët dhe roli i prindit

Në moshën 2-3 vjeçare fëmijët shfaqin një lloj agresiviteti me fëmijët e tjerë, u marrin lodrat, u shkulin flokët apo i shtyjnë. Këto veprime janë sa të pafajshme aq me dashje.

Në këtë moshë fëmija nuk e di apo nuk e ka bërë të tijën konceptin e “të mirës dhe të keqes”. Edhe pse në pamje është agresive dhe e keqe, në fakt janë hapat e para drejt ndërtimit të komunikimit me tjetrin si moshatar dhe fëmijë. Dhe natyrisht hapat e para, nuk janë as të lehta dhe as të sigurta.

Fëmija nuk kontrollon ende as veten dhe as veprimin. Ai nuk di ende konceptin “e imja - e tjetrit”, ai thjesht do një gjë apo nuk e do.

Pikërisht me shfaqjen e këtyre sjelljeve fillon dhe mësimi i skemës “e imja - e tjetrit” dhe “e mirë – e keqe”.

Ky “mësim” kërkon prezencën e të rriturit dhe durimin e tij. Gjthashtu në këtë moshë, fëmija nuk di ende të luajë vetë me fëmijët e tjerë, duhet patjetër prezenca e të rriturit që të bëjë ndërmjetësin, të ushqejë lojën dhe të evitojë situata të tilla.

Për fat të keq ne i lejmë fëmijët të luajnë vetëm, por kjo është e pamundur në këtë moshë, duhet patjetër prezenca e të rriturit.

Kur fëmija shkul flokët e fëmijës tjetër, apo e shtyn apo i merr lodrën, duhet ndaluar me takt, duke cilësuar që “është një veprim i gabuar dhe nuk të lejon ty të bëhesh vajzë e zonja apo djalë i zoti siç dëshiron”.

Të rritur! Në të tilla raste, mos ndërhyni me rrëmbim dhe me fjalën “mos”, por përdorni vetëm një fjalë duke e shqiptuar prerë. Mbase fjala më e saktë për tu përdorur mund të jetë, fjala “jo”.

Duhet përdorur një fjalë e vetme sepse fëmija fjalën e parë nuk e dëgjon, kështu duke u përsëritur dy - tre herë të njëjtën fjalë, fëmija do të fillojë ta njohë komandën dhe do të fillojë ta zbatojë. Dhe mbasi situata qetësohet, tregojini fëmijës pse e ndaloni dhe pse ky veprim nuk duhet bërë.

EMISIONET