Ukraina, SHBA kërcënon Moskën me sanksione të ashpra
Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe një herë kanë kërcënuar Rusinë se do të përballet me sanskione më të ashpra ekonomike, nëse Moska zyrtare nuk i përmbahet zotimeve që nënshkroi të enjten në Gjenevë, në një takim të nivelit të lartë.
Këshilltarja e Presidentit Barack Obama, Susan Rice, tha në komentet për shtyp në Shtëpinë e Bardhë dje, se Shtetet e Bashkuara e kanë thënë qartë se Uashingtoni dhe partnerët evropianë mbeten të përgatitur për të vendosur sanksione shtesë kundër Moskës, nëse ajo nuk përmbush detyrimet e saj.
Ajo tha se "në rast të një shkallëzimi dramatik" si lëvizje trupash, këto kosto dhe sanksionet e reja mund të përfshijnë vënien në shenjestër të "sektorëve shumë të rëndësishëm" të ekonomisë ruse.
Por i mënjëhershëm ka qënë reagimi i Kremlinit, i cili akuzoi Shtëpinë e Bardhë se po kërcënon Moskën për këtë marrëvëshje, njësoj sikur ajo të ishte "një nxënës shkolle fajtorë".
Ndërkaq ministri i punëve të jashtme të Ukrainës, tha se operacionet anti-terroriste në lindje të vendit do të pezullohen, për shkak të festës së Pashkëve. Por nga ana tjetër separatistët pro-rusë në disa qytete të Ukrainës Lindore, refuzojnë të largohen nga godinat qeveritare.
Rusia, Ukraina, BE dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord këtë të enjte në Gjenevë, që grupet ilegale ruse në Ukrainë të zhvendosen ndërsa ata që ende mbajnë peng godinat qeveritare të ç'armatosen dhe të largohen.
Palët ranë gjithashtu dakord që të gjithë protestuesit anti-qeveritar do të përfitojnë amnisti.
