Bushati në Vjenë: BE të hartojë strategji për sigurinë energjetike, ulim ndikimin rus
Shqipëria kërkon që në Samitin e Vjenës që do të mbahet në muajin gusht, vëmendja të përqëndrohet tek energjia.
Në prag të këtij Samiti, Ditmir Bushati që është Ministri i parë i Jashtëm shqiptar, anëtar i Këshillit Europian për politikën e jashtme deklaron se ka ardhur koha që strategjia e BE për rajonin të përfshijë sigurië energjitike.
Bushati: “Në një kontekst të vështirë gjeopolitik, ka ardhur koha që BE-ja të përpunojë një koncept të guximshëm e gjithëpërfshirës të sigurisë energjetike për Evropën Juglindore. Kjo do të ndihmonte në sigurimin e një klime të mirë investimi për kompanitë evropiane në rajon dhe rishfaqjen e konkurrencës së shëndoshë, në kontrast me praktikat korruptive që zakonisht priren të favorizojnë përfshirjen e aktorëve të tretë”.
Duke e konsideruar Gazsjellësin Trans-Adriatik si të vetmin projekt të prekshëm i Korridorit të gjerë të Jugut, Bushati thekson se realizimi i tij do ta kthejë Shqipërinë në një shperndarëse energjie, duke mundësuar furnizimin e vendeve fqinje përmes Gazsjellësit Adriatik Jonian.
Bushati: “Këta gazsjellës do të diversifikojnë ndjeshëm furnizimin e Evropës Juglindore me energji, e në të njëjtën kohë do të ndihmojnë në shmangien e çmimeve të larta dhe ngjarjeve të pakëndshme, si ato “ngërçet” epike që Evropa Lindore ka përjetuar gjatë dekadës së kaluar”.
Edhe pse BE po fokusohet në konsolidimin e tregut evropian të energjisë, për kryediplomatin shqiptar kjo nuk është e mjaftueshme.
Bushati:“Ajo që nevojitet më tepër në këtë pikë, është lidhja e ishujve të energjisë në këtë kënd të Evropës. Një lidhje më e mirë e energjisë do të lejonte integrimin e vendeve të rajonit në distanca më të gjera dhe do të rriste aftësinë e tyre për t’u përballur me goditjet e ofertës. Megjithatë, projektet ekzistuese të interkonjeksionit nuk mjaftojnë për të shkuar drejt një lidhjeje të favorshme Energji- Siguri në Evropën Juglindore”.
Për Bushatin, strategjia e sigurisë europiane dhe testimet e kryera treguan se vendet e rajonit mbeten të ekspozuara ndaj krizës energjitike dhe infrastrukturës së dobët të sektorit.
