Rusët tentojnë të joshin Hysajn, Spartaku i Moskës bën gati ofertën për mbrojtësin kuqezi
E ardhmja e kapitenit të Kombëtares shqiptare Elseid Hysaj mund të jetë larg Serie A, më saktë në kampionatin rus të futbollit.
Lajmin e bën të ditur “SKY SPORT”, që zbulon një ofertë zyrtare për mbrojtësin e Napolit nga Spartaku i Moskës.
Skuadra moskovite ka hartuar një ofertë prej 7 milionë Euro për transferimin e 26-vjeçarit.
Për Hysaj është propozuar një marrëveshje 5-vjeçare deri në Qershor 2025 nga e ccila futbollisti do të përfitojë 3 milionë euro në sezon.
Futbollisti kuqezi ndodhet te Napoli që prej Gushtit të vitit 2015, ku u transferua nga Empoli për shumën e 5 milionë Eurove. Që prej asaj kohe, Hysaj është bërë titullar i padiskutueshëm në katërshen e mbrojtjes, ku e kemi parë në krahët e saj.
Sipas Transfermarkt, kartoni i Elseid Hysajt vlerësohet me 14 milionë euro.
Kujtojmë se kontrata e shkodranit me Napolin përfundon më 31 qershor 2021. /A.R, OraNews
