Rryshfet për të mos ushtruar kontrolle në disa biznese, arrestohet drejtori i Tatimeve në Korçë dhe një specialist

Drejtori i tatimeve të Korçës dhe një specialist i këtij institucioni janë arrestuar me urdhër të prokurorisë së posaçme Spak, për akuzën e korrupsionit.

Policia bëri të ditur se është bërë i mundur finalizimi i operacionit të koduar "Tatimi", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve Thoma Tontonozi, 58 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve dhe 39 vjeçari Stuart Bardhoshi, me detyrë specialist i regjistrimit pranë Drejtorisë së Tatimeve.

Burimet zyrtare bënë të ditur se për këta shtetas, Gjykata e Posaçme e për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në provat e sigurura gjatë hetimit ka vendosur masën e sigursë “Arrest në burg”.

Më konkretisht policia tha se drejtori i tatimeve dhe specialisti, kundrejt rryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve të biznesit për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

‘’Këta shtetas kundrejt rryshfetit i kanë premtuar disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore’’, informoi policia.

Hetimet për këtë procedim penal kanë nisur kohë më parë ndërkohë efektivat e policisë gjatë veprimeve operacionale për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare. bashkë me paratë oficerët thanë se kanë sekuestruar edhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve të tatimeve në veprimtari korruptive.

Policia tha se nën drejtimin e SPAK, po vazhdon hetimet për evidentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari korruptive ndërkohë që ndaj të arrestuarve Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi është ngritur akuza për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në foto: Thoma Tontonozi, drejtori i tatimeve në Korçë
Në foto : Stuart Bardhoshi, specialist regjistrimi

Vendi Lajme Kronike korce tatime

EMISIONET