Robelli: Nëse Serbia nuk është e gatshme për njohje, Kosova duhet të braktisë bisedimet, Vuçiç manipulator politik
Ndërsa pritet krijimi i qeverisë së re të Albin Kurtit, sfidë kryesore mbeteT dialogu me Serbinë për arritjen e një marrëveshje finale që do të çonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës prej saj.
Analisti, Enver Robelli, në një intervistë për Rtv Ora thotë se nëse Serbia nuk tregohet e gatshme në këtë drejtim atëherë Kosova duhet të braktisë bisedimet.
Robelli: Anëtarësimi në BE më duket vetëm retorikë boshe, si për Serbinë dhe Kosovën. Serbia ka hapur negociatat dhe prej vitesh është vendnumëro. Ëshët iluzion që Serbia të jetë anëtare e Unionit në përiudhën afatmesme, sidomos pa gjetur një zgjidhje në raport me Kosovën. Çështja është cila do të jetë zgjidhja?Serbia ngul këmbë ose në ndarjen e Kosovës ose në krijimin e një minirepublike brenda Kosovës që në çdo moment do të jetë si një bombë e kurdisur brenda Kosovës për të sabotuar shtetin e Kosovës. Shtrohet pyetja, çfarë e kënaq Serbinë për të pranuar shtetin e Kosovës? Serbinë do ta kënaqte ndoshta ndarja e Kosovës ose krijimi i një Republike brenda Kosovës. Asnjëra nga këto opsione nuk janë të mira, janë fatale për Kosovën. Duhet bërë një bilanc çfarë i kanë sjellë Kosovës 10 vite negociata me Serbinë në ndërmjetësimin e BE, një Union europian që ka qenë një lloj vëzhguesi, i ka bërë më shumë presion palës kosovare me premtimin se po lëshuat këtu pe, atje pe, atëherë Serbia do të pranojë Kosovën. Ndërkohë Serbia ka vazhduar të luajë lojën e vet, që të lëshojë pe aty këtu por në fund të mos pranojë pavarësinë e Kosovës.Tani ose Serbia duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës ose Kosova sinqerisht duhet të mendojë të braktisë bisedimet, nuk ka çfarë të bisedohet më me Serbinë për çështje që e demontojnë shtetin e Kosovës.
Në gjykimin e tij, nga ana e Presidentit Vuçiç nuk ka asnjë sinjal për njohje, duke e cilësuar një manipulator politik që e ka shfrytëzuar çështjen e Kosovës duke mbajtur tensionet e ngritura për të mobilizuar qarqet nacionaliste në Serbi.
Por nga ana tjertër ai fajëson edhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që sipas tij i hapi rrugën presidentit serb me idenë e ndryshimit të kufijve.
Robelli: Shumica e shteteve të mëdha të BE janë me pozicionin amerikan, nga Gjermania,Franca, Italia, të cilat kërkojnë që Serbia të ketë një qëndrim të qartë ndaj pavarësisë së Kosovës, të shkojë në drejtimin e njohjes së pavarësisë së saj. Nuk e thonë me atë qartësi që e ka thënë Biden, por janë shtetet e para që me SHBA e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.Çështja është sa është Serbia e gatshme. Kam përshtypjen se presidenti Vuçiç nuk është i gatshëm, ai është një manipulator politik që e ka shfrytëzuar çështjen e Kosovës duke mbajtur tensionet e ngritura për të mobilizuar qarqet nacionaliste në Serbi, por i cili nuk është i gatshëm të pranojë pavarësinë e Kosovës edhe për arsyen se Vuçiç gjatë këtyre viteve të fundit ka arritur falë partneritetit të tij me ish-presidentin e Kosovës që të hapë një derë për tu futur brenda Kosovës me idenë për prishjen e kufijve të Kosovës. Vuçiç në çdo takim me ndërkombëtarët thotë se ne ishim afër zgjidhjes, do ti prishnim kufijtë por BE dhe shtetet e tjera ndërhynë dhe e penguan këtë zgjidhje. Dhe nëse pengohet kjo zgjidhje, çfarë duhet ti jepet Serbisë brenda Kosovës, dhe siç e thashë janë dy opsione fatale. Por këtë rrugë Serbisë ja ka hapur klasa politike e Kosovës, e papërgjegjshme siç ka qenë deri më sot.
Intervista për gazetaren Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana
