Rindërtohet ura e Skurajve, shmanget izolimi dhe rreziku për 5 fshatra të zonës
Është rindërtuar ura e Skurajve në Kurbin, që lidh 5 fshatra me qendrën e Milotit. Mungesa e urës kishte bërë që banorët të rrezikonin jetën duke kaluar nëpër ujërat e rrëmbyeshëm të përroit, që rreth një vit më parë i mori jetën një të riu pas shembjes së urës.
5 fshatrat në Skuraj të Kurbinit mund të lëvizin lirisht për tu lidhur me qendrën administrative të Milotit.
Ura e shembur thuajse një vit më parë e që i pati marrë jetën një të riu është rindërtuar.
Ministria e Mbrojtjes dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit akorduan 9 milion lekë të reja për të shmangur rrezikun që u kanosej banorëve duke tentuar të kalonin rrjedhen e fortë të përroit.
Përfundimin e ndërtimit të kësaj ure e Inspektoji vetë Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Sipas saj për të nxjerrë këtë zonë nga izolimi dhe rreziku i lumit është ndërhyrë shumë shpejt që në fshatrat e Malësisë së Kurbinit të vijojë jeta normalisht.
Kodheli: Për të ribërë një urë që për fat të keq para disa muajsh u shemb dhe pamundësoi lëvizjen e më shumë se 5-6 fshatrave. Me ndihmën e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe me përfundimin e punimeve nga Ministria e Mbrojtjes sot këto fshatra kanë mundësi që të lidhen, fëmijët të shkojnë në shkollë, të sëmurët në spital dhe të vazhdojë jeta normale e tyre.
Duke iu referuar kësaj zone, Ministrja Kodheli ka bërë të ditur se do të angazhohet maksimalisht që të influencojë tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Ministria e Transporteve për asfaltimin e rrugës që lidh këto zona me qendrën e Milotit.
