Rikonstruksioni i "J. De Radës" fasadë, mësuesja: Asnjë klasë shtesë, Veliaj premtoi mësim me një turn
Vetëm pak ditë më parë kryebashkiaku Erion Veliaj inaguroi në një ceremoni, rikonstruktimin e shkollës 9-vjeçare "Jeronim de Rada", pavarësisht se disa prej mësueseve kishin rezultuar pozitivë me koronavirus.
Një prej mësueseve të shkollës, Brunilda Çërraga përmes një postimi në Facebook shkruante se shkolla nuk kishte nëvojë për rikonstruktim, pasi nuk ishte dëmtuar nga tërmeti.
Gjithashtu ajo thotë se nuk ishte as momenti i duhur për ta bërë. Në një intervistë për RTV Ora ajo foli mbi dinamikën dhe atë çfarë ka shkaktuar statusi i saj në opinionin publik.
Mësuesja thotë se përpara dy vitesh, nxënësit e saj kanë shkuar në zyrat e kryebashkiakut ku ai u premtoi shtimin e klasave dhe eleminimin e mësimit me dy turne.
Por, sipas saj, në shkollë nuk kanë shtuar klasa.
Brunilda Çërraga: Unë jam edukatore dhe përpiqem që të jap modelin më të mirë qytetare. Ndoqa atë që u bë atë ditë në përurim. Unë kisha lajmëruar që nuk do të isha në ceremoni për arsye familjare. Më dhembi të them të drejtën pavarësisht se primar ishin ata që kishin financuar për restaurimin e shkollës. Mua më munguan kolegët. Unë nuk e di që çfarë ka ndodhur me një fëmijë kur ka parë inagurimin dhe nuk ka parë asnjë fytyrë të njohur aty. Nuk kam dashur të futem në këto ujëra por dëgjova kryetarin e bashkisë të thotë që kjo është një shkollë e restauruar sepse është dëmtuar nga tërmeti.
Në fakt shkolla tregoi që ishte shumë e fortë. Nuk kishte ardhur koha të bëheshin me disa standarte më të mira. Para dy vitesh nxënësit e mi kanë shkuar në zyrën e kryetarit të bashkisë. Ai premtoi që shkollën do ta bëjë me një turn por shkolla nuk rezulton të ketë asnjë klasë shtesë përveçse dy klasave të reja mbi palestër. Dua që fëmijët të vijnë në shkollë me standarte të mira. Dua që të kenë ngrohje, mos të kenë probleme me ujin.
