Reforma territoriale, Krasniqi: Mazhoranca pazare politike, opozita qëndrim jopolitik

Reforma territoriale, Krasniqi: Mazhoranca pazare politike, opozita qëndrim

Tiranë - Politologu Afrim Krasniqi, në një analizë të situatës politike në vend duke u ndalur tek reforma Administrativo-Territoriale, deklaroi se mazhoranca e filloi në mënyrë profesionale dhe demokratike proçesin, por në seancën e fundit ku ajo u miratua, sipas tij u shndërrua në një pazar elektoral.

Ndërsa qëndrimin indiferent të opozitës, Krasniqi e ka cilësuar si një veprim as të ndershëm, as të sinqertë, as profesional dhe as politik.

Gjatë një interviste në RTV “Ora News” politologu Krasniqi u ndal edhe tek 300 ditët e qeverisjes Rama-Meta, ku theksoi si sukses të mazhorancës kontrollin ndaj territorit, po nga na tjetër tha se në 300 ditë u fol për reformat të cilat për 299 ditë nuk u realizuan.

Ndërsa shtoi më tej për luftën ndaj korrupsionit :“Është folur shumë për luftën ndaj korrupsionit, pas 300 ditësh asnjë zyrtarë i djeshëm dhe i sotëm nuk ndodhet përpara drejtësisë, përkundrazi skandalet publike vazhdojnë të jenë gjithë ditën prezente dhe politika nuk ka fuqi për të dalë nga rrethi vicioz ku ajo ndodhet dhe për të luftuar korrupsionin”.

Intervista e plotë

Enita Mema: Çfarë mendimi keni për qeverisjen Rama-Meta?

Afrim Krasniqi: Ne mund të krahasojmë një vit punë të kësaj qeverisje, sepse koncepti i 300 ditëve qeverisje duket si koncept elektoral. Unë vij nga Vlora dhe kam parë reklama të shpallura nga qeveria, “ja kemi dalë për 300 ditë” dhe është hera e parë që një qeveri e bën një gjë të tillë. Nuk është normale, për shkak se paguan me taksat tona. Gjatë këtij viti mazhoranca e re arriti të bëjë disa gjëra, si suksese të saj mund të cilësojmë përpjekjet për kontrollet e territorit. Pamë disa aksione kundër ndërtimeve pa leje, proçesin e legalizimeve, pamë përpjekjen për të vendosur të gjithë vendin nën sundimin e ligjit, pamë ndërhyrjen në Lazarat që ishte një shenjë pozitive dhe pamë një sukses në lobingun ndërkombëtar të Shqipërisë në raport me Bashkimin Euriopian. Këto mund të konsiderohen deri diku suksese të dukshme për qytetarët. Nga ana politike pamë një mazhorancë që ishte më e prirur drejt një dialogu politik dhe drejt një fryme më tolerante në marrëdhëniet publike. Qeveria ka ardhur për të bërë reforma por në fakt nëse heqim ditën e fundit të parlamentit, gjatë 299 ditëve nuk kemi parë asnjë reformë. Kemi parë shumë premtime, kemi parë një retorike të qeverisjes e cila ishte gati si retorika e njëjtë që kanë ndjekur dje në opozitë. Duke u munduar të fajësojë gjithmonë palën tjetër dhe pa pasur fuqi për të bërë reformat e fuqishme, politike dhe parlamentare. Pamundësia për t’i bërë numrat parlamentar për të bërë reforma, lidhet me dy elementë, së pari vetë ajo nuk ishte përgatitur për këtë reformë dhe së dyti marrëdhënia të tilla mes partnerëve të ri të koalicionit vazhduan të ishin siç ishin dhe dje. Marrëdhënie midis partive klienteliste, të ndarjes së pushtetit, të raporteve personale, të jetës institucionale. Do të thotë, që sot që në flasim qeveria nuk ka arritur të realizojë asnjë nga reformat themelore, por ka shtuar një veprim pozitiv për disa reforma, siç bëmë reformën e fundit territoriale.

Enita Mema: Po objektivat që kishin parashtruar para se të vinin në pushtet i ka arritur kjo mazhorancë?

Afrim Krasniqi: Është folur shumë për luftën ndaj korrupsionit, pas 300 ditësh asnjë zyrtarë i djeshëm dhe i sotëm nuk ndodhet përpara drejtësisë, përkundrazi skandalet publike vazhdojnë të jenë gjithë ditën prezente dhe politika nuk ka fuqi për të dalë nga rrethi vicioz ku ajo ndodhet dhe për të luftuar korrupsionin. Kushti që u vendos nga Brukseli në negociatat e fundit në qershor, ishte që Shqipëria duhet të ketë hapa konkret kundër korrupsionit, me përjashtim të disa hapave periferik ndaj zyrtarëve dytësorë dhe tretësor. Në ata që konsiderohen si drejtuesit korrupsional në Shqipëri, institucional, politik dhe klientelist, asnjë prej tyre nuk është prekur dhe të gjithë gëzojnë imunitet.

Enita Mema: Mendoni se do të zgjidhet ndonjëherë ky problem?

Afrim Krasniqi: Është çeshtje vullneti politik. Sot ne e pranojmë në mënyrë publike që një numër i madh zyrtarësh të lartë, përfshi dhe institucionet kushtetuese, përfshi dhe deputët, janë të përfshirë në afera korruptive. Frika më e madhe dhe problem më i madh i kësaj mazhorance ka qënë për ta larguar veten e saj nga interesat e vogla klienteliste dhe për të dalë me një vullnet politik mbi to. Nuk ja ka arritur deri tani ta bëjë. Nuk ka arritur për shkak të partnerit qeverisës dhe për shkak të mungesës së kurajos për të marrë reformat e rëndësishme politike. Ju kujtohet para dy vitesh, u konsiderua sukses politik heqja e imunitetit parlamentar. Në fakt që nga ajo ditë që u heq e deri më sot asnjë zyrtar parlamentar nuk ka përfunduar përpara drejtësisë dhe çdo çeshtje që kalon mbyllet menjëherë. Siç po ndodh edhe me skandalin e fundit ose siç ka ndodhur me një numër të madh zyrtarësh politik dhe institucional të cilët e kanë përdorur mandatin politik për të bërë koalicione dhe në momentin që ti bën koalicion të mbyllen të gjitha dosjet e tua. Nëse ne marrim akuzat që ka bërë dje kjo Qeveri kur ka qënë në opozitë, dosjet që janë bërë publike dhe skandalin, gjatë 300 ditëve nuk janë përmendur, tregon një sjellje me dy standarde dhe nuk është normale. Nuk arrin dot të krijojë një klimë besimi që kjo qeveri ka një vullnet real për të luftuar korrupsionin. Hapat e marrë kohët e fundit me një lloj presioni pozitiv nga perëndimi, për krijimin e një Byroje Hetimi, për ndryshimin e ligjit për KLD-në, për një reformë në drejtësi, konsiderohen pozitive, nëse do të arrijnë të zbatohen. Por deri tani treguesit janë që nuk kanë një vullnet të qartë politik për ti shkuar gjërave deri në fund.

Enita Mema: Si e konsideroni Byronë e Hetimit?

Afrim Krasniqi: Opozita në Shqipëri është opozita më e mbrojtur në Europë, është një opozitë që ka humbur zgjedhjet dhe një numër i zyrtarëve të lartë të saj janë akuzuar për korrupsion dhe asnjë prej tyre nuk ka përfunduar para drejtësi. Fakti që asnjë prej tyre nuk ka përfunduar para drejtësi do të thotë që ka një konsensus midis mazhorancës dhe opozitës që të mos trajtohet asnjë nga dosjet e djeshme. Ne kemi të bëjmë me standartet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, në standartet e shtetit të së drejtës do të duhet të kishim një reformë që përfshin jo vetëm një Byro Hetimi në antikorrupsion por të gjitha institucionet e përfshira në këtë drejtim, që nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Inspektoriati i Kontrollit të Pasurive, Shërbimi i Kontrollit të Brenshëm, Drejtoria e Pastrimit të Parave. Vetëm kur na ndodhin skandale ne kujtohemi që i kemi këto institucione. Gjatë 10 viteve të fundit në rastin e Bulqizës kanë vdekur rreth 35 persona, nga të dy mazhorancat. Në çdo rast asnjë zyrtar nuk ka përfunduar përpara drejtësisë. Në çdo rast është thënë që firmat që veprojnë atje i kanë zbatuar kushtet e punës. Fakti që nuk i japin vlera as jetës së njeriut. Imagjinoni që politika në Shqipëri është kaq e inkriminuar dhe aq shumë e korruptuar, sa që është e pamundur që nga të korruptuarit të vijnë reformat antikorrupsion. Do të duhet një vullnet ekstra, një vullnet i jashtëzakonshëm politik, kjo është ajo çfarë ka nevojë Shqipëria dhe kjo është ajo çfarë kanë bërë vendet e tjera të rajonit.

Enita Mema: Mendoni se do të bëhet një gjë e tillë tani që jemi në hapjen e negociatave me Bashkimin Europian?

Afrim Krasniqi: Nuk besoj që pritet ndonjë ndryshim drastik në Shqipëri, ne e njohim klasën politike, ata që konsiderohen njerëzit qeverisës dhe kanë qëndruar gati çdo vit në qeveri janë njerëzit që akuzohen së pari për korrupsion dhe kanë qënë në krye të listave. Shohim emërimet në administratë, janë hequr një palë dhe ka ardhur pala tjetër, po gjithmonë vazhdon natyra klienteliste me emërime. Shohim lidhjet personale krahinore, janë dominuese. Shohim marrëdhënie midis individëve dhe jo marrëdhënie midis intitucioneve. Shohim parti politike që nuk votojnë, nuk respektojnë demokracinë, por janë kthyer në parti, kryetar do të thotë një “sundimtar” në krye të këtyre klikave, që mbrojnë njerëz, pëcaktojnë tendera, ndajnë bizneset, ndajnë paratë e qytetarëve, etj. Nuk shohim një trasparencë publike. Në këtë lloj rrethi të mbyllur është e pamundur të shpresohet, që të ketë një mazhorancë me vullnet për të shikuar edhe veten e saj dhe për të gjykuar opozitën e djeshme. Nëse ne shohim sot Shqipërinë pjesa më e madhe e ekonomisë shqiptare është informale dhe bizneset kryesore informale në Shqipëri janë me lidhje politike. Diferenca dhe hendeku mes një klase të vogël politike që sundon në Shqipëri dhe shumica e qytetarëve është aq e thellë, aq e dukshme, sa kemi të bëjmë me një model oligarkie dhe jo me një model demokracie. Një demokraci funksion në të gjitha sistemet politike, ku shtresa e mesme është e fuqishme dhe e pavarur, në Shqipëri nuk ka shtresë të mesme.

Enita Mema: A mund ti bëjë e vetme mazhoranca reformat?

Afrim Krasniqi: Mazhoranca ka pasur një shans historik dhe e ka ende, ka marrë votat e nevojshme dhe ka marrë mandatet e nevojshme për çdo lloj reforme. Përdorimi i votave në rastin e reformave të fundit, pa pritur deri diku konsensusin e detyruar të opozitës, është tregues force dhe në fund të fundit është ajo për të cilën është votuar mazhoranca. Do të duhet t’i përdorë këto vota në çdo rast që i sjell dobi vendit. Nuk e ka bërë deri tani, kjo për arsye specifike që lidhen brenda saj, sepse përpjekja për të ardhur në pushtet i ka kushtuar një kosto tjetër, koston e cilësisë parlamentare dhe ne shohim se kemi parament të dobët nga ana profesionale, më problematik në raport me ligjin dhe historinë e tranzicionit. Duke pasur raporte të tilla, duke mos funksionuar strukturat e partive të tryezës së koalicionit, si një strukturë konsensuale dhe transparente, mazhoranca i ka duart e lidhura brenda saj dhe duart e lidhura në raport me opinionin publik. Prandaj pritshmëritë në këto reformat të thella nga kjo mazhorancë nuk duken. Kjo lloj mazhorance dhe çdo lloj mazhorance që kemi pasur në Shqipëri është fjalia e fundit që nuk e mendon kurrë të shpallë zgjedhje të parakohshme, por e mendojnë veten të perjetshëm dhe mendojnë për zgjedhjet e radhës. Duke menduar për votat dhe jo për cilësinë e demokracisë, ne vazhdojmë të përsërisim një rreth vicioz ku ndryshimet janë jashtëzakonisht të vogla.

Enita Mema: Si e gjykoni reformën Administrativo-Territoriale?

Afrim Krasniqi: Do ta ndaj në dy faza, në fazën e parë  mazhoranca veproi në mënyrë shumë profesionale, bëri trasnparencë me proçesin, e inicioj proçesin në mënyrë publike, mori opinionet e specialistëve në Shqipëri dhe të partnerëve ndërkombëtar. Në fazën e fundit , nga një reformë me kritere dhe standarte të demokracisë dhe kritereve profesional të ndarjes, u kalua në një pazar elektoral. Në momentin e fundit një seancë u vendos të shtoheshin 15 bashki. Thjeshtë dhe vetëm për të siguruar 4 vota të një partie politike. Kalimi nga ky standard i lartë tek standardet tradicionale shqiptare, të parcelizimit të pushtetit për arsye elektorale e dëmton dukshëm integritetin e proçesit. Unë po marr një shembull: Qarku me numër më të vogël të banorëve, ka numrin më të madh të bashkive të Shqipërisë dhe kjo nuk shkon, nuk ka sens në demokraci. Nëse marrin pjesën Shqipëria pas dy dekadave, është e pritur të shkojë drejt bregdetit dhe qyteteve kryesore. Në fakt qytete kryesore kanë numrat më të vegjël të bashkive sa një periferi e largët. Kanë mbijetuar disa bashki që nuk kanë as element për të qënë komuna, vetëm për shkak të lidhjeve politike. Nga ana tjetër për mua opozita mbajti një qendrim që nuk është as i ndershëm, as i sinqertë, as profesional dhe as politik. Do të thotë se ajo nga njëra anë ka dërguar specialistë dhe ka bërë negociata. Bashkia e Vorës dhe disa bashki të tjera janë zgjedhur me kompromis të heshtur midis dy palevë politike, për shkak të delegimit indirekt të përfaqësuesve të opozitës. Nga ana tjetër opozita nuk paraqiti kurre një projekt se si e mendon ajo ndarjen territoriale, duke pranuar se nëse shkon i rregullt e pranon, nëse procesi dëmtohet gjatë rrugës, merr gjithmonë meritat e dështimit. Detyra e një opozitë është të paraqesë një platformë dhe të paraqesë një alternativë tjetër.

EMISIONET