Rama ia le ligjit skandalin në Sarandë, Basha: Medalje turpi për ty e PS
Tiranë - Skandali seksual i Sarandës, në zyrën e një deputeti socialist, pasi tronditi shoqërinë, vuri në lëvizje dje opozitën, sot është bërë objekt polemikash të ashpra ndërmjet kreut të opozitës, Lulzim Basha dhe atij të Qeverisë, Edi Rama.
Pa u marrë me rastin në fjalë, Rama njoftoi sot në Fb për një medalje bronxi të fituar nga Shqipëria në rang Ballkani, duke nxitur reagimin e ashpër të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, për këtë “pajtim me ngjarjen, ndaj së cilës nuk distancohet.”
“Medalja e turpit, i shkon e gjitha Edi Ramës për sistemin që ka ngritur. Skandali i kërkimit të favorit seksual me një të mitur në këmbim të një vendi pune, ka ndodhur në zyrën e Partisë Socialiste, në zyrën e pushtetit, që funksionon nën frymen e oligarkisë.
Medalja e turpit i shkon e gjitha Edi Ramës, i cili vazhdon të pajtohet me ngjarjen, që ka tronditur dhe zemëruar mbarë shoqërinë, ndërsa ai nuk gjen asnjë sekondë kohë të distancohet. Po si mund te distancohet ai nga një mase e madhe abuzuesish të paskrupullt qe janë në fakt alterego e tij?!” - replikon Basha nga profili i vet në facebook.
Kundërpërgjigjja e Ramës
Vetëm pas këtij mesazhi, Rama i ka bërë të ditur Bashës se ndaj protagonistit të skandalit ka vepruar me shpejtësi ligji, duke lënë të nënkuptohet se rasti nuk ka nevojë të politizohet në zyrat e PD-së, ku sipas tij, “ gatuhet përditë gjella e fëlliqur e një politike të vjetër e të ulët.” Ai ka nënvizuar në shënimin e tij se “për ne e keqja s’ka parti dhe s’ka vend mes nesh”.
“Policia e arreston. Zyra e deputetit distancohet preraz. PS e përjashton. E gjitha brenda ditës! – shkruan Rama në Fb. - Për ne e keqja s’ka parti dhe s’ka vend mes nesh. Kurse PD e shijon duke e ripërtypur në mensën e SHQUP-it, ku gatuhet përditë “gjella e fëlliqur e një politike të vjetër e të ulët.”
Reagon dhe Berisha: Rama ka dobësi pedofilët e sivllaut
Por, ndaj qendrimit të Ramës, edhe me më shumë ashpërsi është shprehur ish-Kryeministri Berisha. Mosprononcimin e Kryeministrit ai e ka komentuar në një kënd tjetër:
“Rama hesht, - shkruan Berisha në Fb - sepse ai e di dobësinë ekstreme për pedofilët të sivllaut të vet Kokëdhima, të vetëshpallur "kryeministri i jugut". Kreu i "aleances se qelbesirave" hesht dhe sëbashku me të, hesht dhe skllavi i tij Meta, për të siguruar qelbësirat, vrasësit, trafikantët, përdhunuesit, pengmarrësit, gjobëvënësit e aleancës së tij në qeveri, parlament dhe administratë se ai vetë është avokati i tyre.”
ar.sh/Oranews.tv
