Rama vizitë në shtëpinë e policit të rënë në detyrë: Do rishikojmë pensionin për familjet e policëve
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga deputetët Eglantina Gjermeni, Blendi Klosi dhe anëtari i kryesisë së PS, Vangjush Dako ka vizituar sot paradite familjen e ish-punonjësit të policisë, Bashkim Gjoni, në Rrashbull të rrethit të Durrësit, ku është pritur nga nëna e policit të vrarë dhe vëllai i tij.
“Shyqyr që është motra në Amerikë që na ndihmon, se nuk si do t’ia bënim”, është shprehur Ruzhdiu, vëllai i Bashkim Gjonit, i cili aktualisht është i papunë së bashku me të shoqen. Ai ka treguar për kalvarin që ka kaluar pas vdekjes së vëllait, në përpjekje për të siguruar një mbështetje për nënën.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në bashkëbisedim me familjarët është shprehur se pati një periudhë gjatë së cilës fenomeni vrasjes së policëve ra shumë, ndërsa kohët e fundit u bë një periudhë relativisht e zgjatur që është rikthyer goditja e policit si pa gjë të keq dhe deri në vrasje. Më tej kryesocialisti është ndalur në angazhimet e Programit të PS-së për familjet e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës.
“Ne jemi shumë të vendosur që ta rishikojmë pensionin për familjet e të gjithë punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës. Jemi shumë të vendosur që me patjetër të trajtojmë dhe të zgjidhim edhe çështjen e një sigurimi për jetën të çdo njeriu që angazhohet në shërbim të shtetit me uniformën e policisë, nga polici më i thjeshtë e deri te drejtuesit më të lartë, të gjithë zinxhirit të profesionistëve të policisë. Jemi shumë të vendosur që t’i japim autoritetin dhe dinjitetin maksimal policit. Një shoqëri që s’ka autoritetin dhe dinjitetin e mësuesit, mjekut dhe policit është në mëshirën e fatit. Është e patolerueshme që familje të tëra policësh dhe drejtuesish policie të vrarë, të jenë sot pa asnjë mbështetje dhe pa asnjë shprehje respekti për ata që e dhanë jetën për të nderuar detyrën më fisnike, që është mbrojtja e rendit për çdo qytetar dhe për çdo komunitet. E papranueshme!”, është shprehur kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ai ka theksuar se sot jemi në kushtet kur realisht krimi ka marrë një epërsi shumë të madhe, sepse policia është tradhtuar dhe është braktisur.
