Rama: Serbia nga TV sheh Shqipërinë në Francë, Kosova në UNESCO e mirë për Beogradin
Kryeministri Rama gjatë vizitës në Çeki nuk ka lënë pa përmendur edhe kualifikimin e Shqipërisë në Kampionatin Europian.
Në një konferencë me homologun e tij çek Sobotka Rama falenderoi Çekinë për mbështetjen që dha për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke nënvizuar se kjo do t’i bëjë mirë edhe Serbisë.
Në kuadër të atmosferës së kualifikimeve në "Euro 2016", duke i uruar suksese Çekisë solli në vëmendje dhe ndeshjen me Serbinë, mikpritja e të cilës në "Elbasan Arena" ishte medalja e kundërt që i dha Shqipëria pritjes së hidhur në Beograd një vit më parë.
Edi Rama: Meqe jemi në atmosferë kualifikimesh, Çekia u kualifikua, edhe ne u kualifikuam. Mund t’ju them se ato pamje që u panë një vit më parë në Beograd i përkasin një të shkuare që nuk kthehet më. Një vit më pas në jemi në kushtet të tjera pasi i ofruam një mikëpritje të shkëlqyer skuadrës së Serbisë, megjithëse e humbëm ndeshjen ngushëllohemi me faktin se ata do na shikojnë në televizor kur ne të shkojmë në Francë.
E falenderoj kryeministrin edhe për mbështetjen e Çekisë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ky është një hap i duhur dhe është mbështetja e duhur për të fuqizuar stabilitetin dhe kjo i bën mirë edhe Serbisë, pavarësisht se disa gjera ne në Ballkan i kuptojmë me vonesë dhe Serbia do ta kuptojë që kjo është një e mirë edhe për Serbinë.
Faleminderit shumë, jemi shumë mirënjohës dhe kemi dëshirë të mësojmë nga eksperiencat më të mira, ashtu sikurse jemi të gatshëm t’ju japim nga eksperiencat tona më të mira. Se ngaqe jeni përfshirë shumë ne BE është e rëndësishme mos ta harroni se ku ishit dhe ne mund t’jua kujtojmë.
Konferenca u mbajt mesditën e 13 tetorit ku u nëshkruan edhe disa marrëveshje bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Çekisë:
Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e Turizmit;
Marrëveshja në fushën e mbrojtjes sociale;
Marrëveshja në fushën e Arsimit;
Memorandum bashkëpunimi për menaxhimin e fatkeqësive natyrore;
Memorandum bashkëpunimi midis agjencive shtetërore për mbrojtjen e mjedisit.
