Rama në Twitter: Të mjerët nxitës të vrasjeve kanë frikë nga një film

Rama në Twitter: Të mjerët nxitës të vrasjeve kanë

Kreu i PS-së Edi Rama ka reaguar në rrjetin social “Twitter” për moslejimin e studiove lëvizëse të transmetimeve direkte tek “Pedonalja”.

Ai ka akuzuar kryeministrin Berisha dhe kryebashkiakun Basha që sipas tij nuk kanë lejuar mediat të transmetojnë ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit.

“Sali Berisha e Lulëzim Basha bllokojnë me polici rrugën e kinemasë për të mos lejuar mediat ta transmetojnë live ceremoninë përkujtimore! Të mjerët nxitës të atyre vrasjeve sot u trembën një filmi dhe fjalëve të rastit për 21 janarin! S`kanë faj krimi është hije që s`ndahet thonë!” shkruan Rama

Ndërkohë policia bashkiake i cilësoi si të pavërteta akuzën e kreut të PS-së, për bllokimin e mediave te “Pedonalja”.

Në një reagim për mediat, Kreu i Policisë Bashkiake, Vullnet Topalli ka sqaruar se PS-ja nuk ka kërkuar leje për futjen e automjeteve tek rruga “Pedonale”.

"Pavarësisht se PS-ja e solli kërkesën në kundërshtim me ligjin, sot u morën të gjitha masat për tu zhvilluar tubimi” tha ai.

Pas tubimit homazh në kinema “Millenium”, Partia Socialiste ka shfaqur një dokumentar për “21 janarin” ndërsa kanë mbajtur fjalën të afërm të viktimave si dhe lideri i opozitës, Edi Rama.

EMISIONET