Rama inspekton aksin Durrës-Plepa-Vlorë: Jo më Kandahar, do ta rilindim
Durrës- Pas cicërimës së parë të dhënë në twitter për nisjen e fazës së rehabilitimit të përmasës së gjelbër në aksin Durrës-Plepa-Vlorë, kryeministri Rama ka zgjedhur të shkojë vetë për të inspektuar procesin e punimeve, në zonën e Plepave.
Sipas kryeqytetarit të Shqipërisë, projekti i gjelbërimit parashikon në 13 rrethrrotullimet edhe vepra artistike me motive të zonës.
“Rindërtim total i të gjithë përmasës së gjelbër që këtu nuk ekziston, në të gjitha rotondat dhe gjithë anët e rrugës. Ndërkohë kemi diskutuar për të vendosur vepra arti nëpër rrethrrotullime. Pasi, kjo është një rrugë turistike që vetëm turistike nuk mund të quhet, në kushtet që është konceptuar dhe ndërtuar copa-copa dhe me gjithfarë lloje plehrash e magazinash natyrore.
Bëjmë një transformim absolutisht rrënjësor. Ndërkohë do të vazhdojmë me INUK, me sistemime dhe prishje të të gjitha objekteve që janë pa leje në anë të rrugëve, në mënyrë që të rrisim sigurinë dhe që ta transformojmë nga pikëpamja e standardeve, qoftë nga pikëpamja e standardeve të sigurisë dhe qoftë të standardeve estetike.
Sepse, jemi në mes të Europës, në mes të Mesdheut, rruga më turistike e Shqipërisë, sot, që shkojnë të gjithë drejt jugut, është një rrugë që kur kalon të duket se je në Kandahar".
Rama i shoqëruar dhe nga Ministri i Transportit Haxhinasto, si edhe kryebashkiaku i Durrësit Dako, pa nga afër edhe punimet për mbikalimin e Shkozetit, pjesë e projektit për By-passit të Durrësit.
Punimet për ndërtimin e kësaj nyje të rëndësishme rrugore në kryqëzimin që lidh autostradën Tiranë-Durrës me By-passin e Durrësit dhe akset nacionale drejt jugut të vendit kanë rifilluar në muajin janar 2014 dhe sipas afatit, duhet të kishin përfunduar.
Aktualisht zona e Shkozetit, në ditë me diell vuan nga ndotja e ajrit prej pluhurit e sogut të punimeve, ndërsa kur nisin reshjet, gropat e mbushuar me ujë dhe balta janë një hall më vete.
