Rama: Reforma territoriale, kryeskema për bujqësinë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se reforma territoriale është kryeskema për bujqësinë dhe për zhvillimin rural.
Duke folur në konferencën kombëtare "Pagesat në bujqësi, si mjet zhvillimi”, Rama u shpreh se kjo reformë është e domosdohshme pasi krijon një hapërisë të re administrative për tregjet bujqësore dhe blektorale.
"Duhet një reformë territoriale. Reforma territoriale nuk është thjesht shkurtimi i domosdoshëm i shumë shpenzimeve të kota, të shumë bishtave të korrupsioneve por është mundësia për kushte të reja të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, për sisteme të reja të administrimit të burimeve natyrore, për ti dhënë vetes një aftësi të re në mirë trajtimin e burimeve të jetës, duke filluar nga uji e duke vazhduar me tokën dhe duke shkuar në pasuritë natyrore që janë baza e punës dhe e të ardhurave në territorin e Shqipërisë. Nëse flasim për skema të reja reforma territoriale është kryeskema e mbështetjes së bujqësi dhe e nxitjes së zhvillimit rural në tërësi" tha Rama.
Ndërsa e cilësoi si të mjerueshme gjendjen në të cilën gjendet sot fshati shqiptar, Rama ka premtuar investime të reja për zhvillimin e tij.
"Ne jemi zotuar që ta bëjmë fermerin përfitues të drejtëpërdrejtë të skemave të mbështetëse duke vendosur një distancë të qartë nga praktikat diskriminuese dhe korruptive që kanë karakterizuar marrëdhëniet me shtetin dhe sektorin bujqësor gjatë gjithë këtyrë viteve. Skema e vitit 2014 kap shifrën 1 miliard e 655 milionë lekëve. Sot jemi në kohën kur krahasohemi me të kaluarën por ambicia jonë është që në vitet e ardhshme krahasimin ta bëjmë me objektivat dhe jo thjesht me të kaluarën. Ka shumë fermerë që marrin mbështetje për herë të parë ndërsa është shtuar masa duke shkuar në drejtim të objektit tonë për të stimuluar bashkëpunimin mes fermerëve dhe për ta mbështetur këtë baskëpunuim mbi baza të qarta interesash" tha Rama.
Gjithashtu kryeministri theksoi se sektori i bujqësisë sot është përballë dy sfidave të mëdha ku e para është përgjigjja e menjëhershme e gjendjes së mjerueshme të fshatit dhe ajo e zhvillimit social, teknologjik dhe atij demografik të tij.
Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi theksoi se mungesa e mbështetjes financiare i vret fermerët e një vendi njëlloj si një rrufe apo një pakujdesi nga një traktor.Sipas diplomatit të Bashkimit Europian asgjë nuk mund të arrihet pa investuar në sektorin bujqësor.
"Mungesa e mbështetjes financiare për një fermer është një vrasje njëlloj si nga një rrufe apo nga një traktor.Bujqësia ka mjaft potenciale në Shqipëri dhe ne po mbështesim ministrinë me një strategji sektoriale.Modernizimi i bujqësisë do të ulte varfërinë në një vend por nuk mund të arrihet asgjë pa investuar.Nëse një fermer është i varfër atëherë edhe vendi është i varfër” tha ai.
