Rama-Dules: Ti përdor fenë për politikë, ajo që quan kishë, ishte stallë pa leje
Ndërsa ishte thirrur në interpelancë nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, për të dhënë llogari për prishjen e kishës në Dhërmi që solli edhe reagimin e Athinës zyrtare, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria nuk ka prishur asnjë kishë.
Sipas Ramës asaj që Dule i referohet si kishë ishte thjesht një ndërtim pa leje, ndërsa e akuzoi atë se përdor fenë për të bërë politikë.
Rama: “Ngrehina e rrëzuar, për të cilën ju dhe shumë të tjerë bëtë kaq shumë potere, nuk është kisha martire e Shën Thanasit, dhe nuk ka qenë kurrë kishë. Kanonet kishtare na mësojnë se jo çdo objekt kulti meriton të quhet kishë. Ajo ngrehinë nuk ka qenë ndonjëherë e siguruar konform rregullave nga Autoriteti Kishtar. Objekti i interpelancës është nul pasi Inspektorati Ndërtimor nuk ka shembur kishë. Ajo ishte ngrehinë, garazh apo stallë pa leje, e ndërtuar nga brutaliteti individual i viteve ’90”.
Sipas Ramës pjesa dërrmuese e banorëve atje ka qenë dakord me prishjen e objektit.
Nga ana tjetër deputeti Vangjel Dule tha se nuk mund ta besonte që në nje vend me harmoni fetare si Shqipëria, mund të ndodhte diçka e tillë.
Dule: “Nuk e kuptoj sesi në vendin tonë mund të shembet një objekt fetar. Nuk e besoja se do të vinte një moment i tillë. Dua të di bazën ligjore për prishjen e kishës”.
