Rama-biznesit grek: Investoni në Shqipëri, do shlyejmë borxhet, s’ka më gjoba
Në vijim të takimeve me investitorët e huaj që operojnë në Shqipëri, kryeministri Edi Rama, zhvilloi një bashkëbisedim pasditen e sotme me shoqatën e biznesmenëve grekë, ku i njohu ata me lehtësirat që ofron qeveria. Rama u bëri me dije sipërmarrësve grekë se qeveria po punon për forcimin dhe përmirësimin e klimës në vend dhe rimbursim automatik të TVSH-së për bizneset.
“Jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende shumë për tu bërë në lidhje me klimën e biznesit, në lidhje me mjedisin ku operojnë sipërmarrësit, investitorët e huaj. Thithja e investimeve të huaja, objektiva jonë kryesore. Po shlyejmë borxhin me sipërmarrjen. Një kreditimi i realizuar në mënyrë brutale ka dëmtuar shtetin, besimin tek Shqipëri, të investitorëve të huaj dhe padyshim ekonominë e vendit. Ne do ti shëlyejmë borxhet. Kemi shëlyer 200 milion dollarë. Ne kemi marrë përsipër ti japim fund një historie të dhimbshme për biznesin, për rimbursimin automatik të TVSH-së për 60 ditë”- tha Rama.
Si provë bindëse se pse investitorët duhet të derdhin kapitalin e tyre në Shqipëri, Rama paraqiti dhe vlerësimin e fundit të Agjencisë së vlerësimit të cilësisë së kreditit Standard & Poor’s, e cila përmirësoi vlerësimin e situatës ekonomike në Shqipëri me parashikim të ndryshuar nga “negativ” në “të qëndrueshëm”.
“Po ashtu, do të doja t’ju njoftoja për një lajm të mirë nga “Standart and poor’s” që e ka konsideruar ekonominë e Shqipërisë si “të qëndrueshme. Këshilli Ekonomik Kombëtar është një instrument që na ka dhënë mundësinë të diskutojmë në mënyrë të përmuajshme në marrjen e vendimeve të rëndësishme për biznesin dhe ne duam ta shndrrojmë në një institucion të rëndësishëm kundër korrupsionit dhe arbitraritetit. E kemi thënë dhe do tat hemi përherë se do të bëjmë çmos që shërbimin në tatime e dogana ta rrisim por nga ana tjetër ne kemi nevojë për partnerin e sipërmarrjes për të luftuar të gjithë fenomenet negative në qasjen e sjelljen e shtetit ndaj sipërmarrjes.Ju siguroj se cilido sipërmarrës që do paraqesë një ankesë në këtë Këshill, të jetë i sigurtë se do të lehtësohet shumë shpejt nga barra dhe madje do të japë edhe një kontribut për biznesmenët e tjerë” u shpreh Rama.
Në përfundim Rama garantoi biznesmenët grekë se nuk do të përballen me ‘bakshishet’ e korrupsionit nëse do të investojnë në Shqipëri.
“Unë jam shumë i kënaqur nga puna e doganave dhe tatimeve sepse arritëm 150 milionë USD të ardhura e mbi të gjitha, pa gjoba. Zëri i tretë në masën e të ardhurave një vit më parë ishin gjobat. Përfytyrojeni pak sesi mund të jetë zëri i tretë në buxhetin e shtetit për të ardhurat mund të jenë gjobat ndaj sipërmarrjeve.Ju e keni provuar vetë siç e kanë pësuar sipërmarrjet e tjera se në çfarë stresi e brutaliteti ka qënë e detyruar të jetojë çdo kompani përballë një shteti që në vend të garantojë çdo kompani të punojë, por e ka parë atë si një burim kreditimi të pavullnetshëm.Rruga që kemi para nuk është fushë me lule dhe as në zbritje, por është në ngjitje dhe e vetmja rrugë e kthimit të figurës së sipërmarrësit në një figurë të pacenueshme”deklaroi ai.
Përfaqësuesi i sipërmarrësve grek Kujonas, ndërsa gantoi mbështetjen e vendit të tij, vlerësoi se Shqipëria dhe Greqia po ecin përpara ekonomikisht.
“Unë vetë jam i inkurajuar nga fakti që ju keni stimuluar dialogun me biznesin. Greqia tani është duke dalë nga kriza dhe ne kemi bërë shumë sakrifica. Kemi pasur një papunësi të lartë dhe pasoja shumë të mëdha sociale dhe sot, Greqia ka dalë me sukses në tregjet ndërkombëtare. Investitorët e huaj e kanë vlerësuar qëne kaluam me sukses të gjitha ciklet që kishim me eurogrupin dhe jemi mirëkëmbur.Edhe Shqipëria gjendet në një fazë të jashtëzakonshme dhe unë e thashë se Shqipëria po ashtu, falë iniciativës së Kryeministrit, ka një pamje pozitive. Shqipëria ka rritur të ardhurat për frymë dhe madje jetëgjatësia këtu është rritur me thuajse shtatë vjet e gjysëm dhe studentët mësojnë për katër vjet të plotë. Po ashtu, edhe treguesit e FMN-së për të ardhmen janë pozitivë. Doja të thoja se ka arsye të jemi të gëzuar se të dy vendet tona po ecin e këtë mund t’ua themi biznesmenëve grekë. Ekonomitë tona janë të lidhura dhe unë e them publikisht se vendi ynë do t’ju mbështesë” tha ai.
