Stoltenberg: Beogradi dhe Prishtina të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e Ohrit
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg përshëndeti marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga Ohri dhe i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që ta zbatojnë sa më shpejt.
“Unë e mirëpres marrëveshjen dhe tani është e rëndësishme që të zbatohet shpejt dhe plotësisht marrëveshja midis Beogradit dhe Prishtinës.
Dhe sigurisht, ne mbështesim fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Aleatët dhe NATO ofrojnë mbështetje politike. Ne kemi qenë në kontakt të ngushtë me BE-në, por edhe me Prishtinën dhe Beogradin”, tha Stoltenberg i pyetur lidhur marrëveshjen e Ohrit gjatë prezantimit të Raportit Vjetor për vitin 2022.
Ai përsëriti se NATO-ja mbështet përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore përmes misionit të KFOR-it dhe vuri në dukje se ushtarët e NATO-s në Kosovë janë vendimtare për të mundësuar dhe mbështetur procesin politik.