Rriten çmimet e karburanteve/ Mickoski paralajmëron ndërhyrje nëse do të jetë e nevojshme

Rriten çmimet e karburanteve/ Mickoski paralajmëron ndërhyrje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se qeveria po e monitoron situatën me rritjen e çmimeve të derivateve dhe se do të ndërhyjë nëse kjo do të jetë e nevojshme.

Mickoski tha se, pavarësisht rritjes së fundit, vendi vazhdon të ketë ndër çmimet më të ulëta në rajon për benzinën dhe naftën.

“E ndjekim situatën me naftën. Ne ende jemi një vend me çmimet më të ulëta në rajon kur bëhet fjalë për benzinën dhe dizelin. Do të reagojmë ashtu siç kemi reaguar edhe deri më tani. Qytetarët duhet të jenë të qetë”, deklaroi Mickoski.

Sipas tij, çmimet e karburanteve varen nga tregjet ndërkombëtare dhe bursat, ndërsa jo nga vendimet e kompanive apo politikanëve.

“Është prodhim i bursës dhe nuk është diçka që varet nëse një biznesmen është më i mirë apo më i keq, apo një politikan më i mirë apo më i keq. Të gjithë blejmë nga i njëjti burim”, u shpreh kryeministri maqedonas.

Ai siguroi se qeveria do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet në treg dhe të marrë masa për të mbrojtur qytetarët në rast të rritjeve të mëtejshme të çmimeve.

EMISIONET