Operacion në 3 shtete, si u kapën 400 kg kokainë në ish fabrikën e "Coca-Colës"

Operacion në 3 shtete, si u kapën 400 kg kokainë në ish

Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e sotëm ku janë konfiskuar 400 kilogramë narkotik të llojit kokainë në vlerë 20 milionë euro.

Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë dhe autoritetet e shtetit italian në një konferencë të përbashkët sonte për media kanë dhënë detaje rreth rastit, që u tha se kamioni në të cilin ndodheshin narkotikët ishte nisur nga Brazili për në Kosovë.

Narkotikët që u konfiskuan në ish-fabrikën e “Coca-Cola”-s në Lipjan, u tha se ishte e fshehur dhe e kamufluar në pako të ngjashme me lloje të ndryshme të mishit. Autoritetet e Kosovës thanë se kishin qenë të njoftuar në lidhje me rastin dhe se kanë zhvilluar masë të fshehtë me autoritet nga Italia dhe Shqipëria.

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, tha se përveç narkotikëve janë sekuestruar edhe një sasi e të hollave, veturave dhe sende të tjera.

Ai tha se gjatë hetimeve janë përdorur masat e fshehta ku është përcjell lëvizja e narkotikëve nga Brazili në Itali dhe pastaj nga Durrësi deri në Kosovë.

"Gjatë fazës së hetimeve janë përdorur masa të fshehta ku kemi përcjellë lëvizjen e narkotikëve nga shteti i Brazilit për në Itali, më pastaj në Durrës deri në arritjen e destinacionit, përkatësisht në Republikën e Kosovës," tha Lumezi.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se më 3 maj 2021, përmes kanaleve zyrtare kanë pranuar inflamacione se një dërgesë në një port italian ka ardhur nga Brazili me destinacion Kosovën dhe se ka dyshime se mund të ketë të fshehur narkotikë të llojit kokainë.

Ai tha se gjatë komunikimit me autoritetet është arritur pajtueshmëria që të realizohet një hetim dhe operacion i përbashkët për përcjelljen e kësaj dërgese deri në destinacionin përfundimtar.

Mehmeti u shpreh se në koordinim të tri shteteve, Kosovës, Italisë dhe Shqipërisë është bërë përcjellja gjatë gjithë kohës e kësaj dërgese.

“Institucionet e të tri shteteve kanë bashkuar ngushtë në kohë reale dhe në çdo moment, gjatë gjithë kohës ka pasur komunikim të rregullt në mes tri institucioneve të cilat i përmenda. Ngarkesa përmes territorit të Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës ka arritur me datë 15.05.2021, ku është ndalur në parkingun e një depoje pronë e një kompanie të dyshuar. Gjatë tërë kohës kjo ngarkesë është mbikëqyrur nga Policia e Kosovës me qëllim të zbulimit të personave të dyshuar të cilët mund të kenë lidhje kriminale me trafikun ndërkombëtar të kësaj sasie të narkotikëve. Sot rreth orës 11:00, të dyshuarit kanë filluar aktivitetin e tyre kriminal për të tërhequr sasinë e dyshuar të narkotikëve, me këtë rast Policia e Kosovës ka ndërhyrë natyrisht me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës kompetente. Njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës kanë marrë situatën nën kontroll dhe kanë arritur të arrestojnë persona të dyshuar dhe po ashtu të gjejnë një sasi prej rreth 400 paketimeve të dyshuara për kokainë”, tha Mehmeti.

Mehmeti tha se do të kryejnë bastisje edhe në vende të tjera dhe se operacioni është në vazhdim dhe mund të ketë edhe arrestime të tjera.

Nga të arrestuarit, tre persona janë nga Prishtina, një nga Gjilani, një nga Lipjani, një nga Peja dhe një nga Obiliqi.

 

EMISIONET