Oda Amerikane në Kosovë kërkon që qasja në infrastrukturën rajonale të LNG-së të jetë prioritet për institucionet e ardhshme

Oda Amerikane në Kosovë kërkon që qasja në

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve të ardhshme të vendit që do të dalin nga zgjedhjet e 7 qershorit, që përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën rajonale të gazit të lëngshëm natyror amerikan (LNG) ta trajtojnë me prioritet dhe ta shqyrtojnë seriozisht si pjesë të politikës së ardhshme energjetike.

Në një reagim të publikuar të hënën, Oda Amerikane, duke iu referuar pritjes për formimin e institucioneve të reja, vlerëson se vendi ndodhet në një moment vendimtar për të ardhmen e sektorit energjetik, transmeton KosovaPress. Sipas saj, vendimet që do të merren në muajt dhe vitet në vijim do të ndikojnë në sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe zhvillimin e vendit.

Oda thekson se politikat energjetike duhet të bazohen në një analizë gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh jo vetëm koston e investimeve, por edhe shpejtësinë e realizimit të projekteve, sigurinë e furnizimit, mundësitë e financimit, fleksibilitetin e sistemit elektroenergjetik dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.

Sipas reagimit, Kosova vazhdon të mbështetet në kapacitete të vjetëruara të prodhimit të energjisë dhe në importe të konsiderueshme, ndërsa çdo vonesë në ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese e ekspozon vendin ndaj kostove të larta dhe pasigurisë së furnizimit.

Oda Ekonomike Amerikane vlerëson se përfshirja në infrastrukturën rajonale të LNG-së amerikane do të mundësonte diversifikimin e burimeve të energjisë, ndërtimin më të shpejtë të kapaciteteve të reja, rritjen e fleksibilitetit të sistemit elektroenergjetik dhe integrimin më efikas të burimeve të ripërtëritshme.

Në fund, Oda u bën thirrje institucioneve që pritet të formohen ta trajtojnë këtë çështje si një investim strategjik për sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë ekonomike dhe zhvillimin afatgjatë të Kosovës. /KosovaPress

EMISIONET