Rikthehen grumbullimet në Veri, policia e Kosovës dhe KFOR pozicionohen në Zubin Potok. Kryekomunari kalon natën në godinë

Rikthehen grumbullimet në Veri, policia e Kosovës dhe KFOR

Nga ora 06:30 të mëngjesit të sotëm ka filluar pozicionimi i Policisë së Kosovës dhe KFOR në komunën e Zubin Potokut.

Barrikadat e hekurta që bllokojnë çdo hyrje në komunë tashmë kanë zënë vend. Nuk shihet asnjë qytetar serb i asaj komune në rrugë teksa aktualisht situata është e qetë.

Ndryshe, dje nga sulmet e protestuesve të dhunshëm serbë, të grumbulluar para objektit të Komunës së Zveçanit kanë pësuar lëndime 25 ushtarë të KFOR-it.

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia ka thënë se sulmet e paprovokuara janë të papranueshme, e ato janë dënuar edhe nga përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe të vendit.

Nga brutaliteti i protestuesve më së shumti kanë pësuar ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez.

Protesta, për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave, të hënën janë organizuar edhe në Zubin-Potok e Leposaviq.

Nderkaq mesohet se kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, e ka kaluar natën në objektin e komunës.

Ai kishte shkuar në komunë dje para se të mblidhej numri i madh i qytetarëve serbë, dhe më pas kishte mbetur i bllokuar për ta kaluar natën aty.

Raportohet se dhe sot një numër i madh i serbëve kanë nisur të dalin para komunës së Leposaviqit, por edhe komunave tjera veriore.

Synimi i tyre mbetet i njëjtë, që të mos lejojnë kryetarët shqiptarë ta vazhdojnë punën.

EMISIONET