Në Malin e Zi asnjë nuk siguroi shumicën e votave. VOA: Gjukanoviç do të përballet në raundin e dytë me ish-ministrin properëndimor

Në Malin e Zi asnjë nuk siguroi shumicën e votave. VOA:

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, politikani veteran që ka shërbyer në postet më të larta shtetërore për 33 vjet, do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me ish-ministrin properëndimor të ekonomisë Jakov Milatoviç, meqë asnjëri prej tyre nuk siguroi shumicën e mjaftueshme për një fitore në zgjedhjet e së dielës.

Qendra për Monitorim dhe Hulumtim në Podgoricë, tha se sipas rezultateve paraprake presidenti aktual dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç, ka fituar numrin më të madh të votave, përkatësisht, 35.4 për qind.

Kandidati i Lëvizjes Qytetare “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç, fitoi 29.3 për qind. Kandidati i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Andrija Mandiç siguroi 19.1 për qind të votave. Katër kandidatët tjerë morën prej 10.9 deri 0.8 për qind të votave.

Qendra për Tranzicionin Demokratik njoftoi se në zgjedhjet presidenciale morën pjesë 344.700 votues, që i bie 63.6 për qind të 542.154 qytetarëve me të drejtë vote. Sipas raporteve të vëzhguesve dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dita e zgjedhjeve kaloi relativisht e qetë, pa ndonjë parregullsi të theksuar që do të mund të prishte procesin zgjedhor.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet pas 14 ditësh, me 2 prill, konkurrojnë dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave.

Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë, por kësaj radhe zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në një mjedis krize institucionale dhe politike. Viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan më tej ndarjet në skenën politike.

Që nga viti 2020, nuk ka pasur përparim në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të arritjeve të pamjaftueshme në procesin e reformës. Vendi i vogël buzë Adriatikut u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016 për të cilin qeveria fajësoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla. /VOA

EMISIONET