Kusari-Lila: Serbia dëshmoi që s’ka ndryshuar, ka mbetur ajo e Millosheviçit
Shefja e Grupit Parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit të dielën, dëshmon se Serbia e sotme nuk dallon nga ajo e Sllobodan Millosheviçit.
Kështu ka thënë ajo nga foltorja e Kuvendit, ku po diskutohet rreth votimit të një rezolutë të përbashkët që e dënon sulmin terrorist të së dielës në Banjskë të Zveçanit.
“E tëra ishte skenar i përgatitur në kampet e Serbisë i cili parashihte luftë dhe destabilitet në venin tonë. Një shtet që mbështet terrorin, që mohon krimet dhe masakrat në Kosovës. E njëjta Serbi vazhdon fushatën e gjuhës së urrejtjes ndaj Kosovës duke shkelur çdo parim të marrëveshjeve”, ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka theksuar se ky sulm terrorist vjen tre muaj pas kidnapimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga xhandarmëria serbe.
Ajo në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së ka shprehur ngushëllimet më të thella familjes Bunjaku, Policisë së Kosovës dhe gjithë qytetarëve për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Kusari – Lila tha se “ne humbëm një polic, por fituam një hero”.
Derisa theksoi se në ditë të dhimbjes dhe krenarisë gjejmë forcën të shiqojmë përtej vijave politike.
“Mëngjesi i të dileës zbardhi të vërtetën e plotë për Serbinë, Republika e cila ndezi të gjitha luftërat në ish- Jugosllavi. Një shtet që mbështet terrorin dhe nuk tërhiqet apo pendohet për të, nuk njeh as parimet e dialogimit”, ka theksuar ajo.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute, do ta dënojë sulmin terrorist të grupit të armatosur nga Serbia më 24 shtator në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Pas fjalimeve të shefave të grupeve parlamentare, pritet që hartohet teksti i rezolutës, i cili më pas do të hidhet në votim.