KPK refuzon tërheqjen e dorëheqjeve/ Pesë prokurorë serbë dërgohen për shkarkim te Presidentja

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të refuzojë kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të pesë prokurorëve dhe 15 pjesëtarëve të stafit mbështetës nga komuniteti serb në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.
Me këtë vendim, KPK ka dërguar emrat e pesë prokurorëve te ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, për lirimin e tyre nga detyra.
Vendimi u mor pas një votimi në mbledhjen e së hënës, ku katër anëtarë të KPK-së votuan pro refuzimit të tërheqjes së dorëheqjeve, ndërsa tre anëtarë ishin kundër.
Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Prokurorial shfuqizoi vendimin për pezullimin e pagave për prokurorët dhe stafin mbështetës serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje.
Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Dardan Vuniqi, propozoi që kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të refuzohen dhe çështja të procedohet te Presidentja për vendimmarrje.
Ndërkohë, disa anëtarë të KPK-së kërkuan që çështja të shtyhej për diskutime të mëtejshme dhe konsultime me institucionet përkatëse.
Anëtarja e KPK-së, Arlinda Muqa, deklaroi se kthimi i prokurorëve dhe stafit mbështetës serb mund të bëhet vetëm përmes procedurave të rregullta të rekrutimit.
Me vendimin e fundit, procesi pritet të vazhdojë në Presidencë, e cila do të vendosë për lirimin nga detyra të pesë prokurorëve.



