“Kosova, dështim ndaj korrupsionit”, IKD: Drejtësia nuk shënoi rezultatet e pritshme në vitin 2022
Instituti për drejtësi në Kosovë e vlerëson se lufta ndaj korrupsionit nuk shënoi rezultatet e prishme dhe se mbetet sfidë për drejtësinë.
Lufta kundër korrupsionit përgjatë vitit 2022 në Kosovë nuk ka shënuar rezultatet e pritshme dhe mbetet sfidë për sistemin e drejtësisë sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi.
-
-
Digjen tri vetura të tjera në veri, policia jep detaje
15 Prill, 16:11
Raporti “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit” zbulon se nga 98 personat e akuzuar për korrupsion, vetëm 8 prej tyre i takojnë profilit të lartë.
“Gjatë vitit 2022 nuk mund të themi se lufta e Prokurorit të Shtetit në drejtim të korrupsionit ka qenë e fokusuar në drejtim të profilit të lartë korruptiv. Në këtë linjë nëse i shohim prej këtyre 8 personave që janë akuzuar për korrupsion si persona të profilit të lartë, vetëm një prej tyre është akuzuar gjatë kohës sa ka qenë zyrtarë, ndërsa 7 të tjerë kur të njëjtit e kanë përfunduar funksionin e tyre për çka akuzohen. Kjo lë një shije te publiku se Prokurori i Shtetit po akuzon vetëm personat e profilit të lartë në një kohë kur ata vetëm po e humbin fuqinë e jo gjatë kohës sa të njëjtit janë duke ushtruar pozicionet e tyre zyrtare për të cilat akuzohen”, deklaroi Shala.
Sa i përket dëmit të pretenduar përmes veprave penale korruptive për të cilat Prokuroria ka ngritur aktakuza, IKD thotë se dominon vlera e dëmit në mes 10 mijë deri në 50 mijë euro.
Gëzim Shala, studiues pranë IKD thotë se Prokurori i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal.
“Nëse i analizojmë provat, IKD ka gjetur se asnjë nga këto aktakuza nuk ka aplikuar masa të fshehta të hetimeve. Nëse i shohim përgjithësisht provat, janë deklaratat e palëve, kontrata, raportet e policisë, dëshmitarë, e të tjerë, dhe nëse në bazë të këtyre provave shohim natyrën e hetimit atëherë del se Prokuroi i Shtetit më shumë po bën hetim administrativ në rastet e korrupsionit se sa një hetim penal dhe që fatkeqësisht në shumë raste kjo më pas po reflektohet edhe në gjykatë pasi Prokuroria e Shtetit ka ngritur një numër të konsiderueshëm të aktakuzave derisa në gjykatë këto aktakuza po përfundojnë në hedhje ose aktgjykime liruese për shkak të mungesës së provave dhe për këtë IKD rekomandon fuqishëm që në përputhje edhe me rekomandimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit që të ketë një orientim tjetër të Prokurorit të Shtetit sesi e lufton korrupsionin në kuptim të provave që mbledh në kuptim që këto aktakuza të provohen në gjykatë”, tha Shala.
Vonesat në vendimmarrje janë një tjetër shqetësim i studiuesve në luftën kundër korrupsionit.
“IKD gjatë monitorimit ka gjetur raste të korrupsionit për të cilat aktakuza është ngritur qysh para 14 vitesh. Pra, ka aktakuza të cilat janë ngritur qysh nga viti 2009. Janë diku rreth 9 raste të korrupsionit aktakuzat e të cilave janë ngritur prej vitit 2009 deri në vitin 2015 që tregon për mos efikasitet por edhe për neglizhencë të trajtimit të rasteve të korrupsionit duke e ditur që tash edhe në vitin 2023 këto lëndë ende nuk kanë marrë një epilog përfundimtar”, tha ai.
Hulumtuesi i IKD-së, Lavdim Makshana theksoi se vendimet e buta ndaj korrupsionit kanë përcjellë mesazh negative tek qytetari.
“Mbi 60% e rasteve dënimet kanë qenë dënime të shqiptuara me gjobë. Dënimet e korrupsionit dhe këto dënime të buta kanë qenë subjekt edhe i trajtimit edhe të raporteve ndërkombëtare, përkatësisht raportit të DASH dhe të Raportit të Progresit që lufta ndaj korrupsionit po bëhet me dënime të buta”, deklaroi Makshana.