VIDEO/ Alarmi për bombë në Aeroportin e Prishtinës ishte i rremë
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka pranuar se ka patur një kërcënim me bombë, ka bërë të ditur zëdhënësja e këtij aeroporti, Valentina Gara.
Megjithatë pas kontrolleve rezultoi se aty nuk kishte asnjë lëndë plasëse dhe alarmi ishte i rremë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se bëhet fjalë për kërcënim me mjet shpërthyes dhe se aeroporti është mbyllur përkohësisht për shkaqe sigurie.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë.
Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Mediat kosovare kanë publikuar edhe video nga ambjentet e jashtme të aeroportit ku udhëtarët duken me valixhe në duar.
Aeroporti është tashmë në funksion.