Grevë në doganat greke/ Bllokohet për disa orë kalimi i automjeteve në katër pika kufitare me Shqipërinë

Qytetarët që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë këtë të hënë do të përballen me kufizime në pikat kufitare.
Për shkak të një greve të punonjësve të doganës greke, kalimi i automjeteve do të pezullohet për disa orë në katër pika të kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit është informuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se më 27 korrik 2026 punonjësit e doganës greke do të zhvillojnë grevë.
Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë dhe Tre Urat, pezullimi i lëvizjes së automjeteve do të jetë nga ora 07:00 deri në 11:00, sipas orës shqiptare.
Ndërkohë, në pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë Botës, lëvizja e automjeteve do të ndërpritet nga ora 05:00 deri në 09:00.
Gjatë këtyre intervaleve do të lejohen të kalojnë vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore, si ambulancat.
Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Greqisë të shtyjnë udhëtimin deri në përfundimin e grevës, për të shmangur pritjet dhe grumbullimet në pikat kufitare.


