Djathtistët serbë protestojnë kundër dialogut me Kosovën me simbole të grupit rus ‘Wagner’

Djathtistët serbë protestojnë kundër dialogut me

Djathtistët serbë janë mbledhur në Beograd më 15 shkurt për të protestuar kundër autoriteteve serbe dhe dialogut me Kosovën, që zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë protestë, të organizuar nga organizata e ekstremit të djathtë, “Patrulla e Popullit”, u panë edhe simbolet e grupit mercenar rus, Wagner. Po ashtu, protestuesit kanë brohoritur mesazhe ofenduese ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Kreu i “Patrullës së Popullit”, Damjan Knezeviç, gjatë adresimit para protestuesve tha se askush në partinë udhëheqëse në Serbi, Partisë Përparimtare Serbe, “nuk mund ta quajë veten serb”.

Knezeviç iu adresua edhe gazetarëve të mediave të huaja në gjuhën angleze, duke thënë se pjesëmarrësit në këtë ngjarje “preferojnë propozimin rus” për Kosovën dhe jo atë evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman, që ka të bëjë me normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Protestuesit kanë brohoritur “Serbia, Rusia”. Organizatorët e protestës kanë kërkuar nga autoritetet serbe që të tërhiqen nga negociatat me Kosovën, shtet që ka shpallur pavarësinë 15 vjet më parë.

Disa orë para protestës, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë tha se ka arrestuar dy persona – të cilëve u janë gjetur armë – që ishin nisur për të marrë pjesë në ngjarjen në Beograd.

Në deklaratën për media u tha se gjatë arrestimit, atyre u është gjetur një armë dhe municion.

“Patrulla e Popullit”, përmes kanalit të saj në Telegram, konfirmoi se dy anëtarë të kësaj organizate janë arrestuar.

“Patrulla e Popullit” është organizatë që njihet për veprime kundër migrantëve dhe për organizimin e ngjarjeve në Beograd në mbështetje të Rusisë, pasi Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Në nëntor të vitit 2022, lideri i kësaj organizate, Damjan Knezeviq, vizitoi Qendrën Wagner në Rusi.

Organizata që udhëheq Knezeviq ka bërë edhe një mural në Beograd në nderim të Wagner-it.

Serbia, edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe ka raporte të mira dypalëshe me Moskën. /REL/

wagner kosova serbia

EMISIONET