BE çon “Dialogun” në SHBA, Halimi: Lajçak s’e ka potencialin për ta shtyrë procesin, zgjidhja do vijë nga Amerika
Drejtori Ekzekutiv i Insitutit për Studime Europiane dhe Globale, Jeton Halimi, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, analizoi situatën e tensionuar në veri të Kosovës dhe rolin e ndërkombëtarëve në rikthimin e palëve në tryezën e dialogut.
“Z. Lajçak nuk e ka forcën dhe potencialin siç e kanë SHBA-të dhe z. Escobar në këtë proces dhe për t’i shtyrë gjërat përpara. Unë shikoj që shumë shpejt me SHBA-në dhe z. Escobar do të vijë një zgjidhje shumë e mirë nga atje.
Ndaj mendoj se do të ketë një ndikim të fuqishëm për mos përshkallizimin e situatës në veri.
Qeveria Kurti thjesht duhet t’i thërrasë mendjes dhe të ulet në bisedime me z. Vuçiç në mënyrë që të mos ketë viktima atje. Pasi kemi të bëjmë me ngjarje dhe struktura të ngritura që janë të panevojshme.
E gjithë kjoi situatë e tensionuar ka ardhur si pasojë e arrestimeve të kriminelëve serbë që provokuan dhunë në Veri të Kosovës.
KFOR-i nuk ka qenë në atë pjesë për të ruajtur territorin, por ka qenë Policia Kufitare e Kosovës, dhe mendoj se kemi të bëjmë pikërisht me një moskoordinim mes këtyre dy institucioneve, që për rrjedhojë përfunduan në një zënie në pritë të institucioneve të Kosovës, të cilat u gjendën të papërgatitura.
Ndërkaq si z. Rama ashtu dhe x. Kurti duhet të koordinojnë veprimet e tyre dhe të jenë bashkë për të sjellë në shtëpitë e tyre tre efektivët e policisë së Kosovës që u arrestuan në mënyrë të kundraligjshme nga ana e Serbisë.
z. Vuçiç është një lojtar i mirë i këtyre situatave dhe di t’i shfrytëzojë ato. Por mendoj se kjo ndodh sepse z. Vuçiç nuk dëshiron që kjo çështje të zgjidhet.
Por pavarësisht kësaj, unë mendoj se fajtori dhe përgjegjësi kryesor i kësaj është pikërisht presidenti i Serbisë”, u shpreh ndër të tjera, drejtori Ekzekutiv i Insitutit për Studime Europiane dhe Globale, Jeton Halimi.