Arrestimi i drejtorit të KEK-ut përplas pushtetin dhe opozitën në Kosovë

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut përplas pushtetin dhe opozitën

Arrestimi i drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, përplasi opozitën dhe mazhorancën në Kuvendin e Kosovës

Përballë akuzave, kryeministri Albin Kurti tha se çështja është në dorë të drejtësisë dhe gjyqi nuk bëhet në kuvend.

“Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e Nagip Krasniqit. Por, ky është fakt i opozitës nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën, që ka pasur keqpërdorime marramendëse, por asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria”, tha Kurti.

Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës kërkuan nga qeveria të bëjë të ditura shifrat e dyshuara të abuzimit nga ish-zyrtari i Vetëvendosjes dhe shkrirjen e bordit të KEK.

“Ne kemi parë që aty është bërë një abuzim jashtëzakonisht i madh, prej subvencionimit të tarifave, pastaj tenderët njëburimor. Le të na tregojë sa është vlera e monetare e këtyre abuzimeve, e shumë e shumë çështje të tjera që lidhen më punësime. Sepse Nagip Krasniqi ka qenë zyrtar i lartë i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ky zyrtar është arrestuar”, u shpreh Tahiri.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se nuk ka të dhëna zyrtare, ndërsa mbrojti menaxhimin e krizës energjitike.

Qeveria e Albin Kurti është përgjegjese për skandalin edhe sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa i ashpër ishte dhe ish-kryeministri Haradinaj.

"Skandali i Nagip Krasniqit e bën përgjegjëse drejtpërdrejt Qeverinë.Për shkak se Nagip Krasniqi është eksponent i Lëvizjes Vetëvendosje, është personi që e ka shkruar programin për energji për këtë parti, si kryesues i Komisionit për energjinë për Lëvizjen Vetëvendosje, ai e ka draftuar Strategjinë e Energjisë. Ai ka bërë qe 15 muaj, të merren vendime në këtë Kuvend, të jemi në masa emergjente në mënyrë që të importojë energji dhe të bëhen tenderë të negociuar”, tha Hykmete Bajrami, deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

“Kur dikush prej jush nuk ec si duhet, duhet t’ia tregoni vendin. Nuk besoj që është besnikëri të marrësh vendime të gabuara kundër interesit të vendit. E lus kryeministrin ta marrë anën e ligjit dhe drejtësisë”, tha Haradinaj.

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës u arrestua nga Prokuroria Speciale me disa akuza për abuzime me detyrën.

kosove kuvend kek debat

EMISIONET