Putin: Ata që vunë sanksione i gjykoftë Zoti; Poroshenko: Armë, s’luftohet me batanije
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Perëndimi ka shkelur parimet e Organizatës Botërore të Tregtisë me sanksionet që i ka vendosur vendit të tij.
Sipas Putin, e vetmja mënyrë që Rusia t'i kundërpërgjigjet këtyre kërcënimeve është që të zhvillojë tregun vendas.
"Muajt e fundit gjendja ka ndryshuar. Kufizimet që i janë vënë vendit tonë nuk janë gjë tjetër veç se shkelje e parimeve bazë të Organizatës Botërore të Tregtisë.
Partnerët tanë në këtë organizatë kanë shkelur parimin e barazisë në tregun e mallrave dhe shërbimeve dhe atë të konkurencës së lirë", tha Putin para Ministrave të tij.
"Kështu që synimi ynë tani është që të zhvillojmë tregun vendas dhe ta mbushim me prodhime cilësore të firmave tona. E kuptojmë mjaft mirë që ka gjëra më të rëndësishme për partnerët tanë sesa mbarëvajtja normale e ekonomisë botërore. Por ata do t'i gjykojë Zoti”.
Rusia i është bashkuar Organizatës Botërore të Tregtisë në vitin 2012, pas bisedimeve që zgjasnin prej 18 vitesh.
Zyrtarisht, shtetet që i vendosin sanksione njëri-tjetrit nuk kanë përgjegjësi që të argumentojnë vendimin e tyre nëse nuk thërriten të dëshmojnë në organizatë.
Ndërkohë, në vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko, i ka kërkuar Kongresit që të ndihmojë vendin e tij me ndihma ushtarake dhe një status të veçantë sigurie për të zmbrapsur separatistët prorusë që janë stacionuar në lindje të vendit.
"Na duhet ndihmë politike në mbarë botën. Por na duhen edhe armatime, sa më urgjentisht. Batanijet dhe pajisjet për të parë në errësisrë sigurisht që janë të nevojshme, por lufta nuk fitohet me batanije.
Paqja nuk arrihet me batanije dhe synimi ynë është që të ruajmë paqen në rajon. E inkurajoj me forcë vendin tuaj që t'i japë një status të veçantë mbrojtës Ukrainës", tha Poroshenko.
