Pronat, Shqipëria i garanton Gjykatës së Strasburgut zgjidhje brenda vitit
Tiranë – Qeveria shqiptare i garanton Gjykatës së Strasburgut se brenda këtij viti t’i japë fund, çështjes së pronave në Shqipëri dhe pikërisht, planin e saj, ia ka prezantuar sot, Zv.Kryeministri Niko Peleshi, Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Dean Spielmann.
Peleshi ishte në këtë takim me misionin e prezantimit të Plan-Veprimit të Qeverisë Shqiptare për zbatimin e masave të kërkuara nga vendimi i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, plan që u përshëndet dhe u inkurajua në takimin e 5 qershorit të Komitetit të Ministrave të KiE.
Peleshi e garantoi Presidentin Spielmann se Qeveria Shqiptare ka vullnetin politik për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së pronave në Shqipëri.
Ai e ka njohur z. Spielmann gjithashtu me problematikën tejet komplekse e të trashëguar që paraqet çështja e pronave, por edhe me koston që ka shkaktuar për Shqipërinë mungesa e veprimit në lidhje me masat e kërkuara nga Strasburgu prej qeverisë së kaluar, e cila ka shpërdoruar madje pjesën më të madhe të kohës pas vendimit të Gjykatës pa marrë masa konkrete për adresimin e kësaj çështje.
Plani i veprimit që iu prezantua Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut u miratua në prill 2014 dhe parashikon përfundimin e procesit deri në fund të vitit.
ar.sh/Oranews.tv
