Prezenca e OSBE-së në Shqipëri: Nuk po zhvillojmë anketa zgjedhore, organizata OKSE nuk ka lidhje me ne
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri sqaron se nuk është duke zhvilluar asnjë anketë zgjedhore në Shqipëri.
Sipas OSBE-së në Shqipëri një organizatë e vetëquajtur OKSE po zhvillon anketa dhe studime, duke pretenduar se e bën këtë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bën me dije se nuk ka asnjë lidhje me OKSE-n dhe me asnjë anketues tjetër në Shqipëri.
"OSBE-ja nuk është dhe nuk do të jetë e përfshirë në sondazhe zgjedhore dhe ajo distancohet plotësisht nga kjo organizatë dhe veprimet e saj. Ne kemi vënë në dijeni autoritetet përkatëse lidhur me çështjen dhe rezervojmë të drejtën të ndjekim veprime ligjore kundër përdorimit të paautorizuar të emrit apo logos së OSBE-së. Me këtë rast, informojmë se emri i OSBE-së, emblema e saj dhe logo të tjera, që janë pronë ekskluzive e OSBE-së, mbrohen nga Neni 6 i “Konventës së Parisit për mbrojtjen e pronësisë industriale” dhe nuk mund të kopjohen, të riprodhohen, të shfaqen apo të përdoren pa lejen paraprake me shkrim të OSBE-së."
