Pollo në Berat:Rama dhe PS nuk paraqesin asnjë alternativë qeverisëse

Pollo në Berat:Rama dhe PS nuk paraqesin asnjë alternativë

“Edi Rama nuk paraqet asnjë lloj alternativë, përveç bllokimit, nxirrjes, mallkimit dhe sharjes.” Ky është mesazhi që kryesuesi i listës së PD-së në qarkun e Beratit, njëkohësisht Ministër i Inovacionit dhe TIK, Genc Pollo, ka deklaruar në një takim me mbështetës dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në lagjen “Dëshmorët e Kombit” në Berat.

“Ky është realiteti që paraqet Partia Socialiste kundrejt një bilanci të admirueshëm, të brendshëm dhe të jashtëm, që ka qeveria e Partisë Demokratike. Duke filluar nga ajo që u premtua pikërisht në këtë shesh 4 vite më parë. Kemi thënë në 2009 se në vitin e parë të mandatit të dytë do hiqen vizat për shqiptarët dhe me punë, përpjekje e reforma, u hoqën vizat për shqiptarët që mund të shkojnë në Itali, në Greqi, në Gjermani e kudo nëpër Evropë, vetëm me pasaportën e tyre si qytetar të respektuar të kontinentit” ka vijuar më tej Pollo.

Ministri dhe deputeti Pollo ka folur edhe për nxitjen e rritjes së punësimit, gjë që është shtuar edhe më shumë me futjen e Beratit në listën e trashëgimisë botërore, UNESCO.

“Kemi thënë që do nxisim punët dhe investimet dhe Berati është një qytet turistik. Ishte një arritje që e vumë në listën e UNESCO-s, por ishte një tjetër arritje që përmes shumë e shumë mënyrash sot të kemi një industri hoteliere në Berat dhe kush vjen duhet të pronotojë 3 ditë para, sepse dhomat janë zënë o nga turistët e vendit, por edhe të huaj, ose nga punonjësit e huaj si rezultat i investimeve që janë bërë në naftë edhe në fusha të tjera”u shpreh ai.

Por Berati, sipas Pollos, është edhe një qark bujqësor, i cili ka përfituar falë subvencioneve të qeverisë shqiptare në këto 8 vite, të cilat në mandatin e ardhshëm do vijojnë të shtohen dhe të dyfishohen:

“Berati është edhe një qark bujqësor dhe për perimet zë 37% të eksporteve të Shqipërisë, ndërkohë që është më pak se 15% e popullsisë së vendit apo edhe në sipërfaqe është edhe më i ultë. Kjo tregon se punonjësit e bujqësisë së Beratit, fermerët, janë me duar të arta dhe atë mbështetje që i ka dhënë qeveria në formë subvencionesh këto 8 vjet, prej të cilës kanë përfituar 4000 fermerë, vetëm një thyesë e vogël e numrit të fermerëve dinë ta kthejnë në prodhime, dinë ta kthejnë në shitje, dinë ta kthejnë në të ardhura”tha më tej Ministri.

Në fund të fjalës së tij, Pollo ka theksuar edhe një herë premtimin e Partisë Demokratike dhe të Kryeministrit Berisha që ka të bëjë me Boshtin e Jugut, një projekt madhor ky për Beratin dhe për gjithë jugun e vendit.

“Sepse Berati është qendra e një premtimi të madh të Partisë Demokratike; e kemi përmendur pikërisht këtu, të një premtimi të madh që Kryeministri Berisha sa herë që ka ardhur në këtë qytet e ka theksuar me forcë: Berati është qendra rreth të cilit rrotullohet Boshti i Jugut, i cili ka filluar dhe është realizuar në gjysmën e tij më të shtrenjtë dhe më të vështirë, nga Tirana e deri në Kuçovë, me ndërtimin e tunelit, me ndërtimin e rrugëve. 4 vitet e ardhshme janë 4 vitet e përfundimit të Boshtit të Jugut dhe nga Berati mund të shkohet në Tiranë për 50 minuta, mund të shkohet në Gjirokastër për 50 minuta, se aksi do kalojë nga Kuçova në Urë Vajgurore, në Berat, Memaliaj e do dali në Gjirokastër” përfundoi ai.

EMISIONET