Pushteti vendor rriti me 188% të ardhurat, ndikimin kryesor e dha taksa e infrastrukturës

Pushteti vendor rriti me 188% të ardhurat, ndikimin kryesor e dha taksa e

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se të ardhurat e pushtetit vendor shënuan rritje të ndjeshme gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, të nxitura kryesisht nga të ardhurat e mbledhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa e pasurisë.

Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e treguesve makroekonomikë dhe fiskalë, Malaj bëri të ditur se të ardhurat e pushtetit vendor janë rritur me 188% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.

“Rritja totale e të ardhurave të pushtetit vendor është ndikuar kryesisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e pasuar më tej edhe nga taksa e pasurisë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, totali i të ardhurave vendore të realizuara deri në fund të muajit mars të këtij viti arriti në 17,2 miliardë lekë, ose 11,2 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Totali i të ardhurave vendore të realizuara deri në fund të muajit mars të këtij viti arrin në 17,2 miliardë lekë, ose me një rritje prej 11,2 miliardë lekësh më shumë se tremujori i parë i vitit të shkuar”, tha Malaj.

Ministri theksoi se ndikimin më të madh në këtë ecuri e ka pasur taksa e ndikimit në infrastrukturë.

“Ndikimin më të madh në të ardhurat e pushtetit vendor e ka pasur taksa e ndikimit në infrastrukturë, me një total të ardhurash prej 11,08 miliardë lekësh. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të mëparshëm, kemi rreth 9,1 miliardë lekë më shumë të ardhura nga kjo taksë”, deklaroi ai.

Sipas Malajt, bashkitë që kanë shënuar rritjen më të madhe të të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë janë Tirana, Vlora, Himara dhe Saranda.

“Bashkitë që kanë pasur rritjen më të madhe të të ardhurave si rezultat i taksës së ndikimit në infrastrukturë janë bashkitë e Tiranës, Vlorës, Himarës dhe Sarandës”, tha ministri.

Ai vlerësoi se kjo rritje reflekton dinamikën e lartë të investimeve në sektorin e ndërtimit, veçanërisht në zonat turistike dhe urbane.

“Në fakt, kjo rritje e fortë e kësaj takse reflekton dinamikën e lartë të investimeve në ndërtim, veçanërisht në zonat turistike, por edhe në zona urbane si Tirana. Këto të ardhura krijojnë mundësi shtesë për bashkitë, si në përmirësimin e shërbimeve që ofrojnë për komunitetin, ashtu edhe për investimet e nevojshme në infrastrukturën lokale”, u shpreh Malaj.

Malaj vuri në dukje se investimet në ndërtim do të sjellin përfitime afatgjata për financat vendore.

“Duhet të mbajmë në konsideratë se investimet në ndërtim, në terma afatgjatë, përkthehen në më shumë të ardhura për pushtetin vendor. Kjo pasi, pas përfundimit të këtyre ndërtimeve, ato do të jenë subjekt i taksës së pasurisë, çka do të thotë se do të krijohen të ardhura të përvitshme dhe të planifikuara për pushtetin vendor”, tha ministri.

Duke u ndalur te taksa e pasurisë, Malaj bëri të ditur se ajo mbetet burimi i dytë më i rëndësishëm i të ardhurave për bashkitë.

“Taksa e dytë më e rëndësishme për sa i përket të ardhurave është taksa e pasurisë. Në fund të muajit mars, totali i të ardhurave të realizuara nga taksa e pasurisë është 1,81 miliardë lekë, me një rritje prej 2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025”, deklaroi ai.

Sipas ministrit, bashkitë që kanë shënuar rritjen më të madhe të të ardhurave nga kjo taksë janë Tirana, Vlora, Elbasani dhe Patosi.

Ndërkohë, Malaj theksoi se krahas rritjes së të ardhurave është regjistruar edhe një rritje e shpenzimeve të pushtetit vendor.

“Totali i shpenzimeve vendore përgjatë tremujorit ka qenë 9,9% më shumë se tremujori i parë i vitit, duke arritur në një nivel shpenzimesh prej 17,1 miliardë lekësh”, tha ai.

Ministri informoi se rritja më e madhe e shpenzimeve lidhet me investimet kapitale.

“Gjatë kësaj periudhe, vërehet se rritja më e madhe e shpenzimeve i referohet shpenzimeve kapitale me 31%, e ndjekur nga subvencionet e qeverisjes vendore me 17% dhe shpenzimet operative me 10%”, deklaroi Malaj.

Sipas tij, kjo tregon shtimin e projekteve konkrete në shërbim të komuniteteve.

“Rritja e shpenzimeve tregon se kemi më shumë projekte konkrete që po zbatohen dhe më shumë shërbime cilësore për komunitetin në vend”, u shpreh ministri.

Duke u ndalur të investimet kapitale, ai bëri të ditur se vlera e tyre ka arritur në 2,23 miliardë lekë.

“Në total, shpenzimet kapitale janë në vlerën 2,23 miliardë lekë, ku bashkitë që kanë pasur realizimin më të lartë sipas planit të shpenzimeve kapitale janë Kukësi, Kamza, Vora dhe qarku i Durrësit”, tha Malaj.

Ministri deklaroi se të dhënat tregojnë një orientim gjithnjë e më të madh të bashkive drejt projekteve zhvilluese dhe investimeve publike.

“Vërehet një tendencë e bashkive që orientohen gjithnjë e më shumë drejt projekteve zhvilluese. Nga ana tjetër kemi edhe një nivel të lartë të realizimit për sa i përket investimeve kapitale, çka tregon një përmirësim të kapaciteteve të planifikimit nga ana e pushtetit vendor, por edhe të zbatimit të investimeve publike”, tha ai. 

EMISIONET