Zgjedhorja, SHBA dhe BE për “Ora News”: Nuk jemi pjesë e ndonjë ndërmjetësimi mes palëve. Reforma kërkon dialog. Të zbatohen rekomandimet e OSBE/OHIHR-it

Një ditë pasi paralajmëruan bashkëpunimin për reformën zgjedhore, dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm të kësaj reforme, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Enkelejd Alibeaj kanë zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të misionit të OSBE/OHIHR-it.
Lidhur me këtë angazhim të ndërkombëtarëve, “Ora News” iu drejtua edhe selive diplomatike të akredituara në Tiranë, konkretisht ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe zyrës së Delegacionit të BE-së në vendin tonë.
Ndërsa ambasada e SHBA-së nuk mohon takimet e zhvilluara me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore thekson se takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi mes palëve politike.
Si SHBA ashtu edhe BE shprehen se reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
SHBA e BE theksojnë se reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve.
KOMUNIKIMI I “ORA NEWS” ME SELITË E SHBA-SË DHE BE-SË
Pyetja e gazetarit Isa Myzyraj drejtuar SHBA-së dhe BE-së: “Duke qenë se Delegacioni është përmendur në këtë deklaratë të Zotit. Basha, a mund të na konfirmoni nëse së fundmi përfaqësuesit tuaj janë takuar dhe kanë negociuar për rinisjen e punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore me Zotin Basha apo kryetarin e Partisë Socialiste, Kryeministrin Edi Rama, ose dhe dy bashkëkryetarët e Komisionit Z. Enjelejd Alibeaj dhe Z.Damian Gjiknuri?”
Përgjigja e Ambasadë së SHBA-së për “Ora News”: “Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”.
Reagimi i Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë për “Ora News”: “Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve”.
Deklarata e Bashës
Ditën e Hënë, pas seancës plenare Kryetari i Partisë Demokratike Zoti.Lulzim Basha foli për rifillimin e Punës së Komisionit të Reformës zgjedhore në Shqipëri.
“Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi në kuptimin thelbësor të fjalës ia ka dalë që të bind palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore. Detajet besoj do të bëhen shumë shpejt publike, por unë dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe që kanë ndihmuar jo thjesht opozitën, Partinë Demokratike në këtë drejtim, por edhe një interes publik të jashtëzakonshëm që është shkatërrimi i skenarëve për të zvarritur edhe një herë procesin e Reformës Zgjedhore…”, tha Basha.




