Zbardhen diskutimet në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve të PD, për Tiranën duan deputet të qarkut

Ora News zbardh një pjesë nga diskutimet në mbledhjen e Enkelejd Alibeaj me Kolegjin e Kryetarëve të PD mbi mënyrën sesi do të garojnë në zgjedhjet e 14 majit.

Disa prej krerëve të degëve të Tiranës kane kërkuar që kandidati për Tiranën të jetë një deputet i qarkut.

Njëri prej tyre është shprehur se nuk do të jetë pjesë e fushatës nëse ndodh e kundërta dhe do të largohet nga posti i drejtimit.

Ndërkohë kreu i degës së Mirditës, Mark Ruçi, ka kërkuar që të garojnë me kandidatë në të 61 bashkitë.

Nga ana tjetër kreu i degës së Durrësit Joni Myshketa është shprehur se i ka emrat e mundshëm për kryebashkiakë, por duhet të ruajne përçarjen e mëtejshme.

Kryetari i degës së PD në Kuçovë, shprehet kundër propozimeve të deputetëve që PD zyrtare të futet vetëm me anëtarë për Këshillat Bashkiakë.

Kreu i degës së Dibrës, Naim Gazidede, që njëherësh është edhe kandidati i Alibeajt për Bashkinë e Dibrës, referuar propozimeve të bëra nga deputetja e Qarkut të Dibrës Dhurata Çupi në mbledhjet e grupit parlamentar dhe kryesisë, ka deklaruar se PD ose duhet të dalë me kandidatë për kryebashkiakë ose të mos futet fare në zgjedhje.

Ndërkohë ka përfunduar mbledhja me kandidatët dhe në 18:00 do të mbahet mbledhja e Kryesisë së PD.

EMISIONET