Veliaj në lupën e drejtësisë, Mërtiri: Arritje e SPAK-ut, tregon luftë serioze ndaj korrupsionit
Analisti Ergys Mërtiri foli mbrëmjen e sotme për kontrollet e BKH-së në banesën dhe zyrën e Erion Veliaj.
Mërtiri tha në një intervistë me Pranvera Borakajn se aksioni i sotëm është një sukses që tregon se SPAK-u e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe nuk heziton të godasë në nivele të larta politike.
Ai deklaroi se goditja e Veliajt sot i jep besueshmëri më të madhe SPAK-ut.
"Ne do donim që hetime të tilla të ishin bërë më parë dhe më shpejt. Por kjo është arritje e SPAK. Kemi disa figura që SPAK i ka çuar prapa hekurave, disa i ka nën hetim dhe për disa i ka plotësuar dosjet e ia ka kalaur gjykatës.

Goditja e Veliajt sot i jep besueshmëri më të madhe SPAK-ut dhe tregon se ky institucion e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe nuk heziton të godasë edhe në nivele të larta.
Ashtu siç ka goditur ish-minsitra, ish-deputetë, kryetarë bashkish. Janë gati 15 kryebashkiakë dhe 6 ministra në total.
Kjo tregon që për herë të parë kemi një institucion që ka kurajo dhe guxim për të hetuar në mënyrë serioze njerëz të niveleve të larta. Ajo që thotë zoti Berisha ‘që ata i kanë lënë kohë të fshijnë prova nga telefoni’ është pak qesharake.
Me mjetet që ka prokuroria, policia mund të rikthejnë çdo lloj materiali.
Nëse do të ishte kështu do t’i kishte fshirë edhe Ilir Meta dhe Kryemadhi provat nga telefonat që iu sekuestruan. Ata telefona prodhuan fakte që njërin e çuan në burg dhe tjetrën 'detyrim paraqitje'", theksoi analisti.



