“T’I MUNDËSH” ME ARMËT E TYRE/ Bllokim, grevë urie, apo…? Demokratët ende të paqartë për vijimin e aksionit në Kuvend

Demokratët pritet të vendosin këtë javë për vijimësinë e aksionit politik që prej gati 6 muajsh ka pamundësuar normalitetin në Kuvend! Greva e urisë në sallën e seancave plenare është një prej skenarëve të linjës e fortë, por krahu tjetër kërkojnë sfidën ndaj mazhorancës brenda rregullave të parlamentarizmit

Teksa aksioni i opozitës në Kuvend ka hyrë në muajin e gjashtë duket se kjo javë do të jetë vendimtare.

Deputetët e opozitës pritet të mblidhen për të analizuar dhe vendosur vijimin e tij.

Kjo javë pritet që të jetë vendimtare për aksionin politik të opozitës që pas 6 muajve bllokim të kuvendit thirri për herë të parë mbështetësit në shesh kundër qeverisë!

Ngujim brenda sallës se seancave plenare dhe greva e urisë janë dy prej opsioneve më radikale që do të shqyrtohen.

Të dy skenarët kanë mbështetës dhe kundërshtarë në grupin tashmë të bashkuar të grupimit të Sali Berishës dhe atij të Gazment Bardhit.

Në një mbledhje të grupit parlamentar deputeti demokrat, Tritan Shehu, është shprehur kundër të dyjave duke thënë se këto hapa do t’i kthenin në qesharakë.

Një tjetër skenar i mundshëm është ai për të sfiduar mazhorancën brenda rregullave të parlamentarizmit!

Disa deputetë janë shprehur se opozita duhet të ridërgojë në Kuvend kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare, e cila është një ndër pikat kryesore të aksionit të opozitës pasi 8 prej këtyre kërkesave janë rrëzuar nga shumica.

Propozuesit thonë se në rast se mazhoranca do të refuzojë përsëri komisionet, atëherë duhet kaluar tek njëri prej skenarëve radikal, ngujimi dhe greva!

Në vazhdimësi mazhoranca ka thënë se opozita duhet të riformulojë objektin e komisioneve hetimore parlamentare.

Burime pranë Partisë Demokratike tw grupimit tw “Rithemelimit” kanë saktësuar se gjatë ditëve të ardhshme do të mbahet një mbledhje e posaçme për të përcaktuar ecurinë e aksionit politik të opozitës!

EMISIONET